TIRANË- Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, është shpallur zyrtarisht Park Kombëtar duke i dhënë fund njëherë e mirë debateve mbi mbrojtjen e këtij lumi, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa, përfshirë këtu edhe HEC-et që krijuan një debat të madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. 

Me vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ministrave, e gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar. Sipërfaqja totale e shpallur Park Kombëtar është 12 727 hektarë.

"Kemi sot vendimin përfundimtar që e shpallim lumin e Vjosës lumin e fundit të egër në Europë Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte një vit më parë si Park Natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12 727 ha që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore që së bashku me të tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënsh, Shushicës, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Europë.", ministrja Mirela Kumbaro.

Ndonëse është shpallur Park Kombëtar, qeveria nuk e ka ende një plan menaxhimi, por do të nisë përgatitjen e tij nga java në vijim. Sipas studimit që të do të bëhet për zonën, do të përcaktohet zona se ku mund të ngrihen veprimtari ekonomike, ndërsa në pjesët ku cenohet lumi dhe krahët e tij nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi.

“Pas kësaj jave do vazhdojmë me hartimin e planit të menaxhimit, shumë të domosdoshëm dhe gjithë masterplanin e zonës për të parë ku mund të zhvillohen zona tradicionale, eko turizëm, ku do jetë pjesa mbrojtjes strikte dhe nuk ndërhyhet fare”, vijoi ministrja.

Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ai nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën. Vjosa është cilësuar nga ekspertët si zemra blu e Ballkanit dhe një nga lumenjtë e fundit, të egër, të gjallë në Europë. Kështu, me shpalljen Park Kombëtar, Vjosa bëhet parku i parë i një lumi të egër në Europë.

Në janar, Vjosa mori statusin “Park Natyror” duke u bërë për herë të parë pjesë e zonave të mbrojtura, ndërsa një marrëveshje me organizatën amerikane “Patagonia” iu hap rrugë shpalljes së saj Park Kombëtar. Nisja e ndërtimit të disa HEC-eve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë ndërkombëtare të cilët për shkak të cenimit të lumit nga digat që po ndërtoheshin bëri që të niste një fushatë ndërkombëtare për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë. Një zi i fuqishëm ka qenë edhe ai i aktorit të njohur ndërkombëtar, Leonardo di Caprio i cili udhëhoqi fushatën për mbrojtjen e Vjosës dhe disa herë i kërkoi qeverisë që ta shpalltë Park Kombëtar.

Vjosa, me një gjatësi 272 kilometra, shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Këto vlera ekologjike dhe kulturore ofrojnë mundësi të mëdha për eko-turizëm dhe përfitime të tjera ekonomike për njerëzit që jetojnë në rajonin përkatës.