Përshpejtim i fortë në krizën e Ukrainës dhe në negociatat e paqes. Sipas asaj që raportojnë disa media amerikane, ukrainasit do të kenë pranuar propozimin e draftit të fundit, ashtu siç është dalë nga Gjeneva dhe i përfshirë në 19 pikat finale.
Në atë formulim, çështjet më të rëndësishme — territoret dhe garancitë e sigurisë — duhet të vendosen drejtpërdrejt nga Trump dhe Zelensky në një takim të ardhshëm ballë për ballë.
Për gjithçka tjetër, Ukraina pranon propozimin e Gjenevës, përfshirë edhe tavanin për madhësinë e forcave të saj të armatosura, që do të jetë 800 mijë trupa.
“Ne jemi gati të ecim përpara me planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky para “koalicionit të vullnetarëve”, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi: “Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje. Do të shohim, po bëjmë përparim. Nuk është e lehtë, por mendoj se do t’ia dalim”.
Në Truth Social, presidenti amerikan sqaroi se, në shpresë për të finalizuar planin, ka ngarkuar “të dërguarin special Steve Witkoff të takojë presidentin Putin në Moskë dhe, në të njëjtën kohë, sekretari i ushtrisë Dan Driscoll do të takojë ukrainasit”.
Po jetohen ditë të ethshme: diplomacia ka marrë një ritëm shumë të shpejtë. Dhe, menjëherë pas Gjenevës, një pjesë e delegacioneve fluturoi drejt Abu Dabit, ku mbërritën edhe rusët. Delegacionin amerikan e drejton sekretari i ushtrisë Dan Driscoll (një njeri i afërt me presidentin JD Vance), ndërsa pala ukrainase përfaqësohet nga Rustem Umerov, këshilltar kombëtar i sigurisë — i njëjti person që ishte lidhja e Kievit gjatë hartimit të “paktit Witkoff-Dmitriev”, nga i cili nisi gjithçka — dhe Kyrylo Budanov, shefi i inteligjencës ushtarake dhe autori i shumë prej operacioneve më të guximshme të Ukrainës. Ata janë figura kyçe të ekipit prej 9 negociatorësh të emëruar nga Zelensky.
Në këtë pikë, nëse lajmet konfirmohen, topi i kalon rusëve. Ata janë kapur të papërgatitur nga shpejtësia perëndimore dhe duken sikur po japin një përgjigje paraprake negative.
Moska sinjalizoi, përmes ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov, se mund të refuzojë një plan paqeje të modifikuar nga amerikanët, nëse ai nuk përmbush kërkesat e tyre të kahershme. Me fjalë të tjera, nëse propozimi devijon nga “plani Dmitriev-Witkoff”, i cili nuk u pranua nga ukrainasit dhe që tani është lënë mënjanë edhe nga amerikanët. Edhe pse të gjitha variantet pasuese — ai i dalë nga Gjeneva dhe tani ai që diskutohet në Abu Dabi — mbështeten mbi atë tekst fillestar të hartuar bashkë nga amerikanët dhe rusët.
Lavrov deklaroi të martën se, nëse plani “fshin… marrëveshjet kyçe” që presidenti rus Vladimir Putin besonte se kishte arritur me presidentin amerikan Donald Trump në samitin e Alaskës, “situata do të ishte radikalisht e ndryshme”. Sipas tij, versioni i parë (Witkoff-Dmitriev) është “pritur me pozitivitet” nga Moska.
“Pas Anchorage (samiti Trump-Putin në Alaska), kur menduam se këto marrëveshje ishin tashmë formalizuar, pati një pauzë të gjatë. Dhe tani pauza është ndërprerë me futjen e këtij dokumenti… Një sërë çështjesh kërkojnë qartësim”, tha Lavrov.
Rusia merr pjesë në këto negociata të reja në Abu Dabi. Nuk është e qartë me ç’formacion janë paraqitur rusët dhe as si po zhvillohen takimet. Supozohet se — nëse përsëritet modeli i Gjenevës — bëhet fjalë për takime bilaterale mes amerikanëve të drejtuar nga Driscoll dhe, me radhë, delegacioneve ruse dhe ukrainase.
Pika tjetër kyçe është: kur do të mund të takohen Trump dhe Zelensky? Mbrëmë zëdhënësi i Trump tha se nuk ka asnjë takim të planifikuar. Por sot ukrainasit e kanë kërkuar dhe Umerov tha se shpreson të zhvillohet “para fundit të nëntorit”.
Një vëzhgues i madh, dhe palë e rëndësishme në këtë proces, presidenti finlandez Aleksander Stubb, shkroi disa orë më parë: “Kam pasur një telefonatë me Zelensky dhe sekretarin e NATO-s këtë mëngjes. […] E ardhmja e Ukrainës duhet të vendoset nga Ukraina dhe siguria evropiane duhet të vendoset nga Evropa. Puna mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare në përpjekjet tona për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Janë lajme të fragmentuara, shumë kërkojnë kujdes — duke filluar nga kryeministri britanik Keir Starmer. Por duket se Gjeneva solli një kthesë: ukrainasit kanë pranuar një kornizë të përgjithshme të planit amerikan (duke ia lënë Trump dhe Zelensky negociimin e pjesëve më të vështira). Lëvizja tani i takon Moskës, e cila nga reagimet e para duket e pakënaqur. Por, sido që të jetë, i takon asaj të refuzojë për herë të parë përpjekjet reale dhe propozimet me shkrim për paqe. Më poshtë po rikujtojmë përfundimet e bisedimeve të Gjenevës dhe pikat që u diskutuan.
Nga e dërguara jonë
Si kanë shkuar bisedimet e Gjenevës, e tregon një postim i Donald Trump, dalë dje paradite me orën evropiane:
“Është e mundur që po bëhet një përparim i madh në negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por mund të jetë duke ndodhur diçka e mirë. ZOTI E BEKOFTË AMERIKËN.”
Nuk ishte tym në sy, as dështim. Ishte hapi i parë i diplomacisë, në një proces që mund të ndalet në çdo moment, por që mund të çojë drejt paqes në Ukrainë pas gati katër vitesh luftë. Rusët kanë bërë të ditur se nuk janë të kënaqur. “Nuk ka asgjë konstruktive” në planin evropian, komentoi dje këshilltari për politikën e jashtme të Putinit, Yuri Ushakov.
Delegacionet — ajo amerikane, ajo ukrainase dhe përfaqësuesit evropianë — u larguan nga Gjeneva në mëngjes. Ambasadori italian Fabrizio Saggio u kthye në Romë. “Pres një informim të plotë deri në mbrëmje”, tha Zelensky. Nga dhoma dolën vetëm dy fletë letre: një në duart e Marco Rubio-s, sekretarit të Shtetit amerikan, tjetra te Andriy Yermak, dora e djathtë e Zelensky-t, i përfshirë në një skandal korrupsioni. Edhe kjo tregon në çfarë kushtesh të vështira po negocion Ukraina.
Megjithatë, diçka nga ajo që ka ndodhur — mes misionit amerikan në kodër dhe hotelit Intercontinental aty pranë, ku ishin vendosur të gjithë — po del në sipërfaqe. Planet nuk janë më dy, por një draft i vetëm. Janë përfshirë disa variante evropiane dhe është ky “kuadër” i ri, që mbështetet mbi “temelin” e 28 pikave, siç tha Rubio, mbi të cilin do të punojnë negociatorët në vijim.
Ka dalë një dokument i ri me 19 pika, shumë i modifikuar krahasuar me origjinalin, siç ka treguar zëvendësministri i Jashtëm ukrainas Sergiy Kyslytsya për Financial Times. Nuk ka më limit për madhësinë e ushtrisë ukrainase. Disa kapituj janë hequr. Të tjerë janë vendosur në “kllapa katrore”, pra tekst që ende nuk është miratuar.
Bëhet fjalë për pikat më të diskutueshme, duke filluar nga koncesionet territoriale. Nuk ka asnjë përmendje të çështjes së fondeve ruse të ngrira, 300 miliardëve të depozituar në bankat e BE-së, që po krijojnë përplasje SHBA–BE. Pikërisht këtu i referohej kancelari gjerman Friedrich Merz kur tha se marrëveshja “nuk do të mbyllet këtë javë”.
Fillimi i takimit në misionin amerikan ishte shumë i tensionuar. Amerikanët akuzuan ukrainasit se ata kishin nxjerrë në media “28 pikat”. Plani Witkoff-Dmitriev, në fakt, i ishte dorëzuar Zelensky-t 48 orë më parë. Është rregull e diplomacisë që pala që dëshiron të sabotojë një propozim e nxjerr atë te mediat. “Orët e para ishin totalisht… — tha Kyslytsya — varur në qime”, iu deshën dy orë Yermak-ut për të qetësuar amerikanët.
“Corriere” mund të konfirmojë se pjesë e delegacionit amerikan — por jo i fotografuar — ishte dhëndri i Trump-it, Jared Kushner. Ukrainasit mbetën të surprizuar. Por në fakt ai është, siç po bëhet e ditur tani, bashkëautor i dytë i planit me 28 pika, krahas Witkoff-it. Ai është takuar disa herë me biznesmenin rus Dmitriev në Miami gjatë muajit të fundit, që nga fundi i tetorit. Kështu Gaza dhe Ukraina bashkohen: kanë të njëjtët “ndërmjetës” dhe brokerë, të gjithë shumë pranë Donald Trump-it (në veçanti Kushner, bashkëshorti i Ivankës).
Pjesa më e vështirë ende duhet shkruar, por dje ndjenja e përgjithshme ishte lehtësim. Meloni, Merz, sekretari i NATO-s Mark Rutte, të gjithë shprehën një shpresë të matur. Megjithatë, shumë serioz është komenti i Alexander Stubb, presidentit finlandez, i cili pavarësisht madhësisë së vendit të tij (pesë milionë banorë), është një nga zërat më të rëndësishëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me rusët:
“Kam folur me Zelensky-n. Negociatat janë një hap përpara, por ka ende çështje madhore për t’u zgjidhur. Çdo vendim që bie në fushën e kompetencave të BE-së ose NATO-s do të diskutohet nga vendet anëtare në takime të ndara.”
Gjithçka që ka të bëjë me Evropën — përveç nëse nuk dëshironi t’ia dorëzoni Trump-it dhe ta ktheni Evropën nën kapriçot perandorake të Rusisë — mbetet ende për t’u negociuar. Dhe Putini është, natyrshëm, fantazma e pranishme në tryezë. Plani është zyrtarisht amerikan, edhe pse i shkruar bashkë me rusët: por çfarë ndodh nëse Putini, në vend që ta firmosë, e konsideron si një tekst “të njëanshëm” dhe paraqet një kundërpropozim të vetin? Teknikisht ai është i lirë ta bëjë. Dhe burimet e diplomacisë ruse janë të pafundme./ Corriere della Sera
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi është gati të ecë përpara me marrëveshjen e paqes të mbështetur nga SHBA-të dhe është gati të diskutojë pikat delikate të saj me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, në bisedime që ai tha se duhet të përfshijnë edhe aleatët evropianë.
Presidenti ukrainas u kërkoi udhëheqësve evropianë të zhvillojnë një kornizë për dërgimin e një "force sigurie" në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështesin Kievin derisa Moska të tregojë gatishmërinë e saj për t'i dhënë fund luftës së saj.
"Jemi shumë afër një marrëveshjeje", tha presidenti i SHBA në Shtëpinë e Bardhë, në lidhje me negociatat e vazhdueshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Një zyrtar amerikan i ka deklaruar ABC News se një delegacion ukrainas ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Sipas CNN-it, Ukraina ka pranuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, me vetëm “detaje të vogla” ende të pazgjidhura, shkruan televizioni amerikan në faqen e tij duke cituar “një zyrtar amerikan, edhe pse presidenti Volodymyr Zelensky ka theksuar se ka ende shumë punë për të bërë”. Zyrtari ka deklaruar: “Ukrainasit kanë pranuar marrëveshjen e paqes. Ka disa detaje të vogla për t’u rregulluar, por ata e kanë pranuar një marrëveshje paqeje.” Deklarata e Shteteve të Bashkuara duket se shkon përtej qëndrimit publik të zyrtarëve ukrainas, të cilët kanë gjithashtu një delegacion të pranishëm në Abu Dhabi dhe që kanë qenë në kontakt me sekretarin e ushtrisë Dan Driscoll. Në një postim në X, sekretari i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, shkroi se delegacionet kishin “arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi termat themelorë të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë”. “Ne tani mbështetemi te përkrahja e partnerëve tanë evropianë për hapat tanë të ardhshëm,” shkroi Umerov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi se Evropa i pati shanset e saj për të luajtur një rol paqësor në konfliktin në Ukrainë, por ajo ka "dështuar në të gjitha frontet" që nga viti 2014. Ky koment erdhi referuar pohimeve të udhëheqësve evropianë se asnjë vendim nuk mund të merret pa përfshirjen e tyre.
"Rusia vlerëson qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë të vetmet në botën perëndimore, ndryshe nga Londra, Brukseli, Parisi dhe Berlini, që tregojnë iniciativë në gjetjen e mënyrave për një zgjidhje", tha ai.

Rusia nuk do të pranojë “fshirjen” nga plani i paqes i Donald Trump për Ukrainën të dokumentit dhe frymës së Anchorage. Kështu ka thënë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i cituar nga agjencia Interfax, duke iu referuar asaj që u diskutua mes udhëheqësit amerikan dhe atij rus Vladimir Putin në samitin e mesgushtit. Sipas Lavrovit, plani fillestar i Trump-it me 28 pika ishte në përputhje me atë që u diskutua në Alaskë dhe, për momentin, është i vetmi dokument që Moska ka marrë, ndër të tjera, në mënyrë jozyrtare. Rusia pret tani “versionin ndërmjetës” të planit, të dakorduar nga SHBA me europianët dhe ukrainasit.
Dy avionë luftarakë F-16 të Ushtrisë Rumune dhe dy avionë luftarakë Eurofighter të Policisë Ajrore Gjermane u ngritën në qiell pasi dy dronë shkelën hapësirën ajrore rumune. Ministria e Mbrojtjes në Bukuresht njoftoi shkeljen, duke shpjeguar se ndërhyrja u zbulua pranë kufirit rumuno-ukrainas.
Herën e fundit që avionët luftarakë u ngritën në Rumani ishte kur një dron hyri në hapësirën e saj ajrore më 13 shtator gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës ukrainase. Edhe në Moldavi u pikas një dron Shared. Sipas policisë, disa banorë në rrethin Floresti të Moldavisë u evakuuan pas rrëzimit të një droni.
Belgjika, Gjermania, Republika Çeke, Spanja, Norvegjia dhe Danimarka kanë raportuar së fundmi ndërhyrje me dronë. Vetëm natën e 9 shtatorit, afërsisht 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake. Më 19 shtator, tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta. Më 23 tetor, Lituania deklaroi se dy avionë luftarakë rusë kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore.
Zelensky mund të vizitojë SHBA-në në ditët e ardhshme për të arritur një marrëveshje me Trumpin, thotë kreu i sigurisë kombëtare të Kievit.
“Delegacionet tona arritën një mirëkuptim të përbashkët mbi termat kryesorë të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë,” shkruan Rustem Umerov në një postim në rrjetet sociale.
“Ne mezi presim të organizojmë një vizitë të presidentit të Ukrainës në SHBA në datën më të përshtatshme në nëntor.”
Siç kemi raportuar më herët, SHBA-ja pritet të takohet sot me zyrtarë rusë në Abu Dhabi për të diskutuar bisedimet e paqes në Ukrainë.

Një plan përfundimtar paqeje duhet ta bëjë të pamundur që Rusia të pushtojë sërish, thotë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Kaja Kallas i thotë programit Today të BBC Radio 4:
“Nëse duam ta përfundojmë këtë përgjithmonë, me të vërtetë duhet të kemi lëshime nga ana e Rusisë.”
Kjo qasje do t’i kërkonte Rusisë të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të zvogëlojë ushtrinë e saj, thotë Kallas. “Nuk mund të kesh thjesht një situatë ku pushton një vend tjetër dhe nuk ka asnjë llogaridhënie.”
Sa i përket rikthimit të Rusisë në G8, Kallas thotë se kjo “definitivisht nuk” duhet të ndodhë.
“Ne nuk mund të kthehemi në normalitet, si mund ta imagjinojmë këtë?” tha ajo në program. Shefja e politikës së jashtme, ndërsa vlerëson “kauzën fisnike” të presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes në Ukrainë, vuri në dukje gjithashtu se duhet të pyesim se çfarë “me të vërtetë sjell paqe” në vend.
Sekretari i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Dan Driscoll, mbërriti në Abu Dhabi të hënën për bisedime paqeje me shefin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës dhe një delegacion rus, raportoi Financial Times.
Sipas raportit, Driscoll dhe rusët filluan bisedimet të hënën në mbrëmje, duke cituar dy persona të njohur me çështjen. BBC raporton se delegacionet do zhvillojnë takime të tjera që pasojnë ato të Gjenevës të dielën.
Tre persona u vranë në një sulm me dron të nisur gjatë natës nga forcat ukrainase në qytetin portual të Taganrogut, në Rajonin Rostov, në Rusinë jugore.
Guvernatori rajonal, Yuri Slyusar, raportoi sulmin në Telegram, duke shtuar se tetë persona u plagosën gjithashtu.
Dy nga personat vdiqën pasi u dërguan në spital. Dy pallate apartamentesh dhe një rezidencë private u goditën.
Komente













