Takimi mes Presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres japoneze Sanae Takaichi të mërkurën në Tokio u fokusua në tema të forta si energjia bërthamore, inteligjenca artificiale dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë situatën në Iran, por ajo që mori të gjithë vëmendjen ishte momenti kur të dy liderët treguan një anë të panjohur dhe lozonjare të tyre.

Para kamerave, dy liderët bashkuan duart përpara, duke bërë një lëvizje sikur po krijonin dhe po lëshonin një “top energjie” imagjinar — një gjest i njohur nga filmi vizatimor dhe loja e famshme me të njëjtin emër Dragon Ball. ku personazhet luftojnë duke përdorur fuqi të mbinatyrshme. Të dy liderët ia pasuan topin imagjinar njëri tjetrit dhe më pas folën për atë që po ndodh. 

Sepse ndryshe nga Dragon Ball, lufta është e vërtetë dhe po shkakton probleme serioze me energjinë në ekonominë globale . 

Gjatë takimit, Japonia dhe Franca ranë dakord të koordinohen ngushtë për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael me Iranin dhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për transportin e naftës dhe gazit.

“Për shkak se situata ndërkombëtare është kaq sfiduese, besoj se ka shumë rëndësi që Japonia dhe Franca të forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin”, u shpreh Sanae Takaichi pas takimit me Emmanuel Macron në Tokio.

Konflikti në Lindjen e Mesme, tashmë në javën e pestë, po shton presionin mbi çmimet e energjisë, ndërsa mbyllja e Hormuzit — nga ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë — rrezikon mungesa serioze në tregjet globale.

Japonia, që siguron rreth 90% të naftës nga Lindja e Mesme, ka nisur të përdorë rezervat për të përballuar goditjen, ndërsa Franca po diskuton me dhjetëra vende për një mision të mundshëm që do të siguronte rihapjen e kësaj rruge jetike.

Macron theksoi se ndan të njëjtin qëndrim me Japoninë për nevojën e rikthimit të lirisë së lundrimit në këtë zonë, ndërsa Tokio la të hapur mundësinë për dërgimin e anijeve për pastrimin e minave, brenda kufizimeve të kushtetutës së saj paqësore.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 31 Mars, 11:25

    A besoni se Drejtori i ri Policisë, Hita do luftojë krimin dhe korrupsionin?