Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar deklaratat e udhëheqësve të huaj, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, të cilët kanë fajësuar emigrantët për trazirat që kanë përfshirë Francën pas protestave kundër rritjes së kostos së jetesës.
Protestat për çmimet e larta janë shoqëruar me trazira dhe grabitje në disa qytete franceze, ndërsa Trump e ka përdorur situatën për të mobilizuar mbështetësit e tij politikë, duke pretenduar pa prova se pas dhunës qëndrojnë emigrantët myslimanë.
Presidenti amerikan i ka kërkuar Macronit të “mbyllë kufijtë dhe të marrë kontrollin përpara se të jetë tepër vonë”.
Por Macron ka kundërshtuar këto pretendime, duke denoncuar atë që e cilësoi si manipulim të informacionit nga jashtë vendit.
“Ka pasur manipulim të informacionit nga jashtë pas grabitjeve që ndodhën fundjavën e kaluar në Paris dhe qytete të tjera franceze. Kjo ka çuar në deklarata sa të papranueshme, aq edhe idiote, nga shumë njerëz, përfshirë udhëheqës të huaj”, deklaroi Macron.
I pyetur nga një gazetar nëse po i referohej Donald Trumpit, presidenti francez u përgjigj shkurt: “Ndër të tjerë”.
Macron tha gjithashtu se në rrjetet sociale janë shpërndarë imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat, sipas tij, paraqesin ngjarje që nuk kanë ndodhur në Francë.
“Kemi parë imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale që paraqesin skena që në të vërtetë nuk kanë ndodhur kurrë në Francë. Kemi pasur njerëz që pretendojnë se jemi pushtuar nga turma emigrantësh dhe islamistësh, gjë që është krejtësisht e pavërtetë”, tha ai.
Megjithatë, Macron nuk saktësoi se cilave imazhe u referohej dhe as se si kishte arritur në përfundimin se përmbajtja ishte e rreme.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi se ministria e tij mund t'u japë vendeve të përfshira sqarimet e nevojshme, për t'i ndihmuar të shmangin përhapjen e informacioneve të rreme dhe pretendimeve të pabazuara në rrjetet sociale.
Macron nuk i kurseu kritikat as ndaj politikanëve që, sipas tij, po e përdorin situatën në Francë për interesat e tyre elektorale.
“Fakti është se të gjithë ata që po flasin keq për vendin tonë tani janë njerëz që nuk e duan vendin tonë. Dhe këta njerëz më shqetësojnë vërtet”, deklaroi presidenti francez.
“Kur shoh udhëheqës që janë në mes të fushatave zgjedhore, qoftë në rajon apo në anën tjetër të Atlantikut, të cilët ndonjëherë përsërisin në mënyrë naive përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale ose përhapin narrativa që qarqe të caktuara po përpiqen qartazi t'i promovojnë për atë që ndodhi në Francë, kuptoj se po e përdorin vendin tonë për fushatat e tyre politike. Dhe ne nuk kemi nevojë për këtë”, shtoi Macron.
Presidenti francez i bëri këto deklarata në Katar, në përfundim të një turi në vendet kryesore furnizuese me energji në Gjirin Persik.
Gjatë vizitës, Macron siguroi 100 mijë tonë naftë për motorë shtesë në muaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa 100 mijë tonë të tjera pritet të konfirmohen nga Bahreini.
Sipas Pallatit Elize, vizita kishte si qëllim gjetjen e zgjidhjeve për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve, si dhe sigurimin e furnizimeve me naftë, gaz dhe karburant për avionët.
Presidenca franceze bëri të ditur se, duke përfshirë edhe sasitë nga Arabia Saudite, mund të sigurohen afro 295 mijë tonë naftë për motorë shtesë në muaj, një sasi që përbën më shumë se 10% të konsumit mujor të Francës.








Komente
Komento