Çështja e investimeve të huaja është kthyer në një temë të nxehtë debati kohët e fundit, ndërsa kundërshtitë për projektin e një resorti luksoz turistik, u bënë shkas për protesta që po vijojnë prej më shumë se dy javësh me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Projekti është i lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, vajzën e tij Ivanka dhe dhëndrrin Jared Kushner.
Një takim i ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj, me Dhomën amerikane të Tregtisë kishte në fokus pikërisht kuadron e shqyrtimeve të Investimeve të huaja, një mekanizëm i ri që qeveria shqiptare synon të vërë në jetë.
E ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane Nancy VanHorn tha se në këtë pikë Shqipëria ka të njejtën qasje me atë të presidentit Trump
“Mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Dhe kjo përputhje ka rëndësi”, tha VanHorn.
Shqipëria, theksoi VanHorn, është e hapur për biznes dhe se shumë kompani amerikane po shikojnë të vijnë këtu
“Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, u shpreh ajo.
Për ministren Ibrahimaj, mekanizmi i ri nuk përbën barrierë për investimet, por është një praktikë e konsoliduar në ekonomitë e zhvilluara.
“Ai garanton më shumë siguri, më shumë transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë për të investuar”, tha Ibrahimaj.
Edhe për diplomaten amerikane vlen e njëjta gjë.
“Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton”, përfundoi ajo.
Komente








e kupton mor Rama se edhe Amerika vet eshte kunder projektit te Zvernecit se cenon sigurine kombetare
Përgjigju