Në prag të protestave të paralajmëruara në Tiranë më 28 dhe 29 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar të shmangin zonat ku do të zhvillohen tubimet dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Ambasada paralajmëron se protestat në qendër të kryeqytetit dhe pranë ndërtesave qeveritare mund të shkaktojnë bllokime rrugësh dhe devijime të trafikut, duke rikujtuar se disa prej demonstratave të mëparshme janë shndërruar në trazira të dhunshme, me përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronave.

Sipas njoftimit, personat që ndodhen në zonat e protestave ose pranë tyre mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.

“Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat e demonstratave. Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendase të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftim.

Paralajmërimi vjen ndërsa grupime të ndryshme kanë njoftuar zhvillimin e protestave antiqeveritare në kryeqytet, në ditën e 114-vjetorit të Pavarësisë, por me orare të ndryshme.

Organizatorët e të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo” kanë njoftuar nisjen e tubimit në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, me marshim drejt Kryeministrisë dhe vijimin e protestës edhe më 29 nëntor.

Ndërkohë, grupime që deklarojnë se përfaqësojnë studentët kanë njoftuar nisjen e protestës në orën 12:00 dhe zhvillimin e saj vetëm më 28 nëntor. Partia Demokratike ka deklaruar gjithashtu mbështetjen për protestën kombëtare.

Në të njëjtën ditë, kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë, ku në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.


Lajmi kryesor:

114-vjetori i Pavarësisë, nesër festë e protestë! Qeveria ngre flamurin në Vlorë, PD mbështet tubimin! Protestuesit dy orare për nisjen