Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka propozuar gjeneralmajorin Jevhen Hmara si ministër të ri të Mbrojtjes, duke i besuar drejtimin e dikasterit një prej figurave më të njohura të strukturave të sigurisë ukrainase.
Sipas Kyiv Independent, propozimi do t'i nënshtrohet votimit në Parlament, i cili u rikthye në punë më 18 gusht pas pushimeve verore. Deputeti Jaroslav Zhelezniak ka bërë të ditur se votimi pritet të zhvillohet më 19 gusht.
Në të njëjtën kohë, Zelenski ka propozuar që Andrij Sibiha të vijojë në detyrën e ministrit të Jashtëm, duke ruajtur drejtimin e diplomacisë ukrainase.
Emërimi mes protestave
Ndryshimi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes vjen pas javësh tensionesh në Ukrainë. Shkarkimi i ministrit Mihail Fedorov shkaktoi protesta në disa qytete të vendit, ndërsa edhe të martën demonstrues u mblodhën para Parlamentit duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë.
Zelenski e ka refuzuar këtë kërkesë, edhe pse ndërkohë pranoi një tjetër kërkesë të protestuesve, duke shkarkuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandër Sirski, dhe duke emëruar në vend të tij gjeneralin Mihail Drapati.
Sipas presidentit ukrainas, një nga arsyet kryesore të largimit të Fedorovit ishte konflikti që ai kishte me Sirski.
Kush është Jevhen Hmara?
Hmara konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU). Ai ka komanduar Qendrën e Operacioneve Speciale "Alfa", ndërsa ka mbikëqyrur fushatën e sulmeve me dronë me rreze të gjatë ndaj objektivave në territorin rus.
Ai njihet gjithashtu për drejtimin e operacionit të çlirimit të Ishullit të Gjarprit në vitin 2022, një nga sukseset më të rëndësishme ushtarake të Ukrainës gjatë luftës.
Në janar të vitit 2026, pas dorëheqjes së Vasili Maljuk, Hmara u emërua ushtrues detyre i kreut të SBU-së.
Më herët, Zelenski e ka përshkruar atë si një drejtues me "përvojë të gjerë dhe në shumë aspekte të paprecedentë" në operacionet ushtarake të bazuara në teknologji, duke theksuar se Ukraina duhet të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve të sulmeve me rreze të gjatë.
Sipas ligjit ukrainas, Hmara duhet të largohet zyrtarisht nga shërbimi aktiv ushtarak përpara se të marrë detyrën e ministrit.
Çfarë do të ndodhë me Fedorovin?
E ardhmja politike e Mihail Fedorovit mbetet e paqartë. Ai konsiderohej një nga ministrat më popullorë të qeverisë, kryesisht për reformat dhe zhvillimin e programeve të dronëve ushtarakë.
Më 21 korrik, Zelenski bëri të ditur se i kishte ofruar një rol të ri në qeveri për zhvillimin e sektorit teknologjik ushtarak. Sipas burimeve të cituara nga Kyiv Independent, ofertat përfshinin postin e zëvendëskryeministrit për inovacionin ushtarak ose drejtimin e kompanisë shtetërore të mbrojtjes "Ukroboronprom".
Megjithatë, Fedorov i ka refuzuar të dyja propozimet, duke bërë të qartë se dëshiron të rikthehet vetëm në postin e ministrit të Mbrojtjes.








Komente
Komento