Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë ndryshime sonte në formacion kundër San Marinos në krahasim me ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve kundër Bjellorusisë. Megjithatë ndryshimet kanë nisur që në listën zyrtare që dorëzohet në UEFA, ku bëjnë pjesë 23 futbollistë.
Këtë herë Maran ka zgjedhur të ketë në dispozicion mesfushorin Luis Hasa, ndërsa ka dërguar në tribunë Naser Alijin. Përveç mbrojtësit të Dinamos në tribunë kanë përfunduar Feta Fetai dhe Sabah Kerjota, të cilët u lanë jashtë edhe kundër Bjellorusisë.
Në dispozicion të Maran këto ditë në përgatitje ishin 27 futbollistë, pasi Klisman Cake ende nuk është rikuperuar. Mirëpo për shkak të ndeshjes miqësore kundër Ukrainës portieri Simon Simoni ka qëndruar në Tiranë me përfaqësuesen U-21.
Fillimisht trajneri i ri i kombëtares ftoi 29 futbollistë për 4 sfidat e Ligës së Kombeve, por Ivan Balliu ende s’është paraqitur për shkak dëmtimi. Qazim Laçi dhe Adrion Pajaziti më vonë u konfirmuan gjithashtu të dëmtuar, ndërsa vendet e tyre u plotësuan nga Klevi Qefalija dhe Feta Fetai.







Komente
Komento