Mesazhet e forta të SHBA, si u 'zbyth' dje Sali Berisha

Mesazhet e forta të SHBA, si u 'zbyth' dje Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Floriana Garo

Në më shumë se një muaj foltore, në ditën kur ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, bëri të qartë se SHBA nuk do të bashkëpunojë me njerëz të shpallur “non grata” (duke paracaktuar edhe fatin politik të PD-së në rast se Berisha merr drejtim), Sali Berisha për herë të parë ka dribluar në qëndrime.

Përmes një konference për shtyp ku prezantoi si zëdhënëse të komunikimit të Foltores Floriana Garon, Sali Berisha tha që në fillim të konferencës se ai mund të ishte kryeministri i Shqipërisë.

Në një tavoline të mbushur me 4200 formulare të delegatëve (ende te paverifikuara) për Kuvendin, Berisha tha: “Dua të sjell para jush dokumentin më të rëndësishëm në historinë e pluralizmit shqiptar pas rrëzimit të komunizmit. Drejtoresha e komunikimit të kësaj nisme historike, që ka synim vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, fitoren e PD dhe rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë”.

Por në konferencën për shtyp i pyetur gjerësisht nga mediat, Sali Berisha dribloi me lojëra fjalësh kur tha se kryeministri i vendit nuk mund të jetë domosdoshmërisht edhe kryetari i partisë duke iu referuar në fakt ndryshimeve në statut që ai pretendon të votojë më 11 dhjetor.

Më pas i pyetur me konkretisht nga media, dha një tjetër përgjigje:

“Unë do të pranoj çdo verdikt që japin demokratët në votën e tyre të përgjithshme. Por në këtë lëvizje, siç është e qartë si drita e diellit është fakti se ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës, gjë të cilës nuk i rezistoj, por e pranoj si një detyrim. Por në çdo moment që demokratëve nuk u duket e arsyeshme, e pranoj verdiktin e tyre”.

Sali Berisha për herë të parë përmes konferencës për shtyp shmangu edhe strukturat zyrtare të PD-së sic ka pretenduar se do të bëjë të kundërtën gjatë gjithë Foltores. Për herë të parë Berisha tha se formularët e firmave të delegatëve do t’i dërgojë tek kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, (i cili e mbështet) por nuk mundi të gjeje një pikë të statutit se ku e mbështet këtë lëvizje.

Berisha i mëshoi faktit se firmat e delegatëve mund të verifikohen vetëm ditën e Kuvendit Kombëtar nga një komision që do të ngrihet po atë ditë ku ftoi edhe përfaqësinë zyrtare të PD-se që të bëhet pjesë.

“Nuk ekziston asnjë detyrim statutor i atyre që mbledhin firmat për tu dorëzuar. Askund. Vetëm ditën e Kuvendit ku verifikohet mandati.

Nuk ka asnjë detyrim statutor. Nuk ka pse të mos qëndrojnë  (formularët) në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar një xhest respekti i padiskutueshëm dhe xhest normal”, iu përgjigj Berisha pyetjes se pse firmat duhet të depozitoheshin tek Paloka.

Berisha u kujdes të justifikohej me faktin se duheshin mbrojtur të dhënat personale të secilit prej firmëtarëve, për tu bërë e ditur dhe transparente vetëm ditën e Kuvendit Kombëtar.

Po ndaj kujt duhet të mbroheshin të dhënat? Ndaj strukturave zyrtare?

Berisha madje ftoi edhe ata delegate që nuk kishin firmosur që të ishin pjesë e Kuvendit pa u paragjykuar.

Berisha shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë edhe se sa kosto do të kishte për PD-në në rast se ai do të vinte kryetar, duke iu referuar deklaratës të mesditës të ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Dhe me kryesorja, për herë të parë, Berisha bëri një kthesë në raport me Lulzim Bashën.

Ndryshe nga herët e tjera kur emrin e tij (Bashës) e kishte çuar “prapa diellit”, Sali Berisha e ftoi “kryetarin e shkarkuar” të ishte pjesë e Foltores, i dha hapësirën që të ishte pjesë e Kuvendit me njerëzit e tij për të verifikuar firmat e delegatëve, e deri e riktheu në lojë, “pengmarrësin” për tu votuar nga anëtarësia.

Berisha tha për herë të parë se 11 dhjetori është vetëm fillimi dhe se ai Kuvend nuk do të zgjedhe kryetarin e ri të partisë, pasi kjo fazë do t’i përkasë një tjetër periudhe, duke e ftuar Bashën të jetë pjesë e PD-së në bazë të ndryshimit të madh ne statut që ai pretendoi se do te miratoje, për lejimin për herë të parë të fraksioneve.

I pyetur konkretisht mbi fatin politik të Lulzim Bashës në PD, Berisha u përgjigj:

“Nuk dua ta paragjykoj asgjë. Ai nuk që nuk njeh statutin vetpërjashton veten sepse statuti është Kushtetuta e PD-së, kështu që pavarësisht nga deklaratat që janë bërë unë mendoj se cdo demokrat dhe demokrate do të respektojë vullnetin e shumicës, do të respektojë statutin dhe forumet e PD-së. Përndryshe ata zgjedhin rrugën e vetlargimit zgjidhje që nuk ua këshilloj sepse një nga ndryshimet themelore te statutit do të jenë fraksionet.

PD nuk përjashton…Lulzim Basha me gjithë dëmin e tmerrshëm që i ka bërë PD-së megjithëse është peng për fajin e vet, përsëri unë mendoj se do të jetë vete ai që të përcaktojë vendin e tij, demokratët do të flasin me votë për Lulzim Bashën”./TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vjedhje në Partinë e Lirisë? Meta denoncon në prokurori zhdukjen e DVR-së, natën u zëvendësua me të re! Misteri dhe pikëpyetjet që fshihen pas

Vjedhje në Partinë e Lirisë? Meta denoncon në prokurori zhdukjen e DVR-së, natën u zëvendësua me të re! Misteri dhe pikëpyetjet që fshihen pas