Mesazhet nga SHBA për financimin rus tërbuan 'dinozaurët' politikë, pse hesht SPAK?

Mesazhet nga SHBA për financimin rus tërbuan 'dinozaurët' politikë, pse hesht SPAK?

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Nëqoftëse kërkoni të dini nëse ka ndonjë mesazh për “dinozaurët” e politikës shqiptare nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe, atëherë ndiqni deklaratat e liderëve të opozitës dhe do ta mësoni.

Mos prisni që ambasadorët e vendeve respektive të dalin me deklarata për mediat shqiptare apo të futen në “karuselin” e paneleve televizive, për të mësuar se cilat janë mesazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë që u kanë “djegur” aq shumë Sali Berishës, Ilir Metës dhe mbështetësve të tyre.

Thjeshtë dhe vetëm shihni “amplitudën” e reagimeve të “sherrxhinjve” të politikës si dhe kërcënimet e tyre, për të mësuar nëse kanë qënë këto mesazhe të “nxehta” ato të cilat kanë “përvëluar” ambientin politik të këtyre politikanëve, të cilët ua nxinë jetën shqiptarëve për 32 vite me radhë.

Ka disa ditë që Berisha dhe Meta kanë qënë të “zënë” me sulmet ndaj mazhorancës qeverisëse dhe kryeministrit Edi Rama. Projekti i ndërtimit të Portit të Durrësit, një ndër projektet më madhore që Shqipëri, me një vlerë investimi prej 2 miliardë euro, është në qendër të goditjes së tyre.

Një marrëveshje e tillë me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, jo vetëm që e shndërron Durrësin në një nga portet më të mëdha dhe më të rëndësishëm të Mesdheut, dhe në “portën” hyrëse të mallrave e tregut për të gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjërë, por hap rrugën dhe për investime të tjera, ku vlera e premtuar kap shifrën e 5 miliardë eurove.

Të gjitha këto para do hyjnë në Shqipëri, për zhvillimin e këtij vendi, hapjen e vendeve të punës, me start fillestar prej 1200 të punësuarve me tendencë shumëfishimi më pas, pikërisht në kulmin e krizës së shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, në kulmin e financimit rus për maskarenjtë politikë të Ballkanit, mes të cilëve e atyre shqiptarë, për të destabilizuar rajonin e për të hapur një front të dytë destabiliteti në Europë, si dhe në kulmin e izolimit të liderëve të opozitës shqiptare, për shkak të korrupsionit të theksuar, minimit të demokracisë, shantazhimit të drejtësisë dhe lidhjeve me botën e nëndheshme të krimit e korrupsionit. Madje dhe me bllok në dorë.

Ky projekt për të arritur deri te marrëveshja me qeverinë e Emiratëve, kaloi përmes diskutimeve, debateve e kalkulimeve më se 5 vjeçare, duke përcaktuar më në fund se është më se i nevojshëm dhe një çlirim i vërtetë për Shqipërinë. Për më tepër që një projekt i tillë është hedhur dhe për diskutim në Parlamentin e Shqipërisë, jo në rrugë të kuptohemi, me grupet e interesit, por dhe me mediat, nëse ka mbetur në “këmbë” ndonjë gazetar i ekonomisë.

Fundja çfarë ka më tepër Mali i Zi, apo Beogradi që e përfituan një projekt të ngjashëm me atë që pritet në Portin e ri të Durrësit, thuajse me një shumë të përafërt për të gjitha palët?!
Kishte debate dhe në këto vende, por ndryshe nga Shqipëria aty prevalonte debati për interesin kombëtar dhe aspak për interesat personale, meskine dhe lufta për pushtet. Por as ngritje të debatit deri në destabilizim, për të justifikuar paratë e marra nga Moska për një qëllim të tillë.

Eshtë një debat skuthësh ky që bëhet nga Berisha e Meta, bashkë me mbështetësit e tyre, kundër projektit të ndërtimit të Portit të ri të Durrësit nga Emiratet, me një vlerë 2 miliardë euro. Përpos ‘modelit’ të njohur tani në Shqipëri ku kjo dyshe quajnë projekt të mirë vetëm ato që japin vetë ata, dhe diskriminuese e kundër interesave të Shqipërisë e shqiptarëve kur thith investime të huaja Edi Rama dhe qeveria e tij.

E quajmë debat skuthësh politikë këtë kundërshti të liderëve të opozitës kundër kësaj vepre madhore, sepse po përdoren dhe dy standarde. Ia vlen të themi se afërsisht i njëjti model marrëveshjeje është nënshkruar dhe me qeverinë amerikane për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. E themi këtë pasi gati dy vite më parë, Kryeministri Edi Rama dhe nënsekretari i Shtetit të SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA. Një nga projektet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është ai për ndërtimin e HEC të Skavicës, të cilin kreu i qeverisë e cilësoi si një ëndërr 50-vjeçare që bëhet realitet.

Për më tepër që dhe nënsekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach tha pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje se kompanitë amerikane do të krijojnë vende pune më të mira, mundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi. Për ndërtimin e Skavicës ai tha se, do të realizohet nga kompania “Bechtel” që ka ndërtuar një prej digave më të famshme në SHBA. E publikoi që në ditën e nënshkrimit emrin e kompanisë ndërtuese të HEC-it.

Berisha por dhe Meta nuk folën asnjë fjalë për këtë marrëveshje për ndërtimin e kësaj vepre madhore, që do ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga varësia energjitike, pasi Skavica do të shërbejë dhe si një ujëmbledhës për të gjithë HEC-et e kaskadës së Drinit. Me investim amerikan, e marrëveshje me qeverinë amerikane.

Berishës nuk “ia mbajtur” që ta kundërshtonte. As Metës. Por u gjetën rrugë të tërthorta për të kundërshtuar këtë vepër madhore energjetike. Ndonëse Berisha ka qënë vetë personi që në pozicionin e kryeministrit kishte mbështetur fort ndërtimin e këtij HEC-i, tani e kundërshton duke dalë kundër vetëvetes.

Sjell si argument përmbytjet në fshatrat e Dibrës, pavarësisht që dhe nëse do ta ndërtonte me vendim qeverie vetë ai, fshatrat do të përmbyteshin. Të njejtët fshatra, pothuajse. Apo përmbytja e shkaktuar nga HEC-i i Berishës qënka më e “ëmbël” se ajo që shkaktohet nga HEC-i që po ndërton qeveria Rama. Hajde merre vesh ndryshimin e humorit të Berishës, megjithëse të habit përdorimi në mënyrën më vulgare i dy standardeve për dy modele të njejta.

Por shpjegimin më brilant e ka dhënë të qartë Ditëro Agolli i madh kur tregonte një histori nga adoleshenca e hershme e Berishës, me humbjen e lopës së familjes. Pavarësisht se lopa kishte ardhur vetë në shtëpi, por duke qënë se Berisha donte ta gjente se s’bën vetë dhe nuk kthehej në kullë pa të, prindërit gjetën zgjidhjen origjinale: çuan lopën afër vendit ku ishte Berisha, i cili pasi e “gjeti” u kthye i lumtur në Shqipëri. Megjithëse atëherë ishte këmbëngulje e pafajshme.

Ndërsa tani kërkon t’i bëjë vetë të gjitha, pasi në mes janë paratë. Është ai 3 përqindshi i “taksës së suksesit” që Berisha përmes vajzës së tij Argita ua merrte të gjithë biznesmenëve të huaj që kërkonin të investonin në Shqipëri. Shembullin e biznesmenit pakistanez e kemi sjellë dhe më parë në vëmendje, ku 3 përqindshi i kërkuar nga Argita për të hyrë “mik” te babai kryeministër që të investonte në Shqipëri, ishte 3 milionë euro.

Për këtë arsye Berisha, por dhe aleati i tij Meta kundërshtojnë investimin e Emirateve në Portin e Durrësit. Madje deklarojnë se do të nisin protestat për ta dëbuar këtë investior të madh, që ka hedhur investimet e tij deri në zemër të SHBA. Janë acaruar keq Berisha dhe Meta për Durrësin.

Po ta marrësh në analizë, ky shpërthim i “sherrxhinjve” të politikës ka ardhur në krye të herës për shkaqe politike. Janë të bindur se fillimi i këtij investimi do thotë shumë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për mazhorancën socialiste që e solli. “Llogaria” është në në terma afatshkurtër dhe afatmesëm. Pasi janë zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit në prag, dhe shqiptarët shohin mirëqenien e tyre më shumë se sa politikën. Flasim për pjesën “gri” që të jep dhe heq pushtetin.

Ndërkohë që duhen dhe dy vite që të hyjmë në zgjedhjet parlamentare. Pikërisht aq sa është afati i paralajmëruar për përfundimin e projektit të ndërtimit të portit të ri të Durrësit. Ku “shiriti” i përurimit i bie të “pritet” pak para zgjedhjeve. Që do të ndikonte sërish në balancat elektorale. Jo se mendohet se do fitojë opozita me Berishën e Metën në krye, të kuptohemi. Por do të thellohet akoma më shumë humbja e tyre në zgjedhje.

Shkaku tjetër i ngritjes së tonalitetit të deklaratave e kërcënimeve nga ana e Berishës dhe Metës, të shoqëruara me togfjalësha të tillë si “Rama në burg, ia kemi bërë pretencën”, apo “ma sillni këtu në studio ta thyej në mes”, duke mos përmendur kërcënimet e tjera, kanë të bëjnë me mesazhet e ‘nxehta’ që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA, BE e Britania e Madhe.

Sa herë që vjen ndonjë mesazh me ‘spec’, atëherë liderët e opozitës kalojnë në kërcënime të tërbuara jo vetëm ndaj Ramës, por dhe ndaj vetë ndërkombëtarëve. Berisha po e po, por dhe Meta, i cili dukej se ishte “qetësuar” për disa kohë, pasi ishte ftuar në disa konferenca kortezie nga ambasadorët dhe e kishte keqkuptuar këtë fakt si një mbështetje për të dhe Partinë e Lirisë, e ngritën zërin kundër ambasadorëve duke i akuzuar si të korruptuar, që ndikojnë mbi drejtësinë dhe që po mbështesin Edi Ramën për të vijuar qeverisjen e vendit.

Ndonëse njëri është shpallur “non grata” zyrtar e tjetri i izoluar tërësisht, nuk kanë aspak turp të bëjnë thirrje ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, deri dhe NATO-s që të mos mbështesin Edi Ramën. Pikërisht në kulmin e përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit. Janë në mes paratë ruse.

Berisha si për t’i hedhur pak “kripë” deklaratave të tij, akuzon Edi Ramën në lidhje me projektin e Portit të Durrësit, teksa thotë se “pas kësaj afere qëndrojnë vëllezërit serbë Kariç, të njohur si financues të Sllobodan Millosheviç dhe Aleksandër Vuçiç. Por pas kësaj afere qëndron edhe diktatori i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Kompanitë që po investohen në këtë mega-aferë janë nën sanksione nga bota perëndimore”.

Dhë për ta ilustruar këtë i referohet një fotoje të të Al-Alabar me Lukashenkon, duke ia kujtuar këtë dhe ambasadës së SHBA. “Njoftim për ambasadën e SHBA-së! Në foton nr. 1 është njoftimi zyrtar i takimit zyrtar mes presidentit të Emaar Group, Mohamed Al-Alabar me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko në mes të luftës Rusi-Ukrainë, ku dihet ça krahu mban Minsku. Në foton nr. 2 është Edi Rama në përqafim vëllazëror me partnerin në biznes të Lukashekos, të cilit i votoi me vota “grata” një projekt 2.1 miliardë euro në parlament!”, njofton Berisha qeverinë amerikane, pikërisht qeverinë që e shpalli ‘non grata” për korrupsion madhor familjarisht. Hajde e kuptoje këtë.

Dhe një akuzë të tillë e bën pikërisht Berisha, i cili gjatë qeverisjes së tij, vëllezërve Kariç të lindur në Pejë, u dha koncesionin e disa HEC-eve në Tropojë, vendlindjen e tij. E thotë pikërisht Berisha i cili ka pritur në kryeministri krahun e djathtë të Vladimir Putin, Konstantin Kosachev, i cili në atë kohë mbante pozicionin e rëndësishëm të kryetarit të Komisionit të Jashtëm në parlamentin rus (Duma ruse).

E priti vetëm një muaj para votimit në Strasburg të Rezolutës së Këshillit të Europës të iniciuar nga delegacioni i partisë së Putin mbi bazën e raportit të Dick Marty, për të ndëshkuar UÇK dhe bërë atë ç’ka iu bë padrejtësisht Kosovës. Kosachev sot është një ndër zërat më potentë në Rusi në mbrojtje të Putin për agresionin ndaj Ukrainës.

Akuzon Berisha që ka marrë gjysmë milioni euro nga Moska për të destabilizuar Shqipërinë dhe për të rrëzuar qeverinë shqiptare, për llogari të Putin. E thotë CIA amerikane këtë kuzë, nuk është lajm mediatik i marrë te “bunari” apo “Fushëkuqja” dhe as i deklaruar nga politikanë kundërshtarë.

Me sa duket paralajmërimi i Edi Ramës se do të ketë emra të tjera partish dhe politikanësh të financuar nga Moska që do të publikohen së shpejti, ka acaruar Berishën, por dhe Metën. Sepse mesazhet duket se kanë mbërritur paralel dhe tek Berisha. Ndaj është i vendosur për të sjellë destabilizim në vend, largim të investitorëve të huaj dhe futjen në flakë të rajonit të Ballkanit. Me sa duket janë mesazhe djegëse këto, që e detyrojnë këtë dyshe të deklarohen “se kjo luftë është për jetë a vdekje”.

Dhe si për çudi kemi një heshtje shembullore të SPAK, që pavarësisht se ka deklaruar gati dy muaj më parë se “për disa ditë do të thërrasë Berishën për të dëshmuar”, pas tij dhe Metën pasi kanë bashkë 7 dosje në SPAK, ende nuk e ka marrë guximin t’u përmendë as emrin.

Dhe janë në “lojë” jo vetëm shpallja “non grata’ nga SHBA e Berishës për korrupsion madhor dhe akuza të tjera, por dhe raporti i CIA-s amerikane se PD e Berisha kanë marrë gjysmë milionë euro për destabilizimin e Shqipërisë. Shqiptarët janë në pritje të fjalës së drejtësisë, ndryshe këta “sherrxhinj” e skuthë politikë, të gjendur nën akuzë për vepra të rënda penale, do t’i kemi nëpër këmbë derisa të japin frymën e fundit. Janë paguar rëndë këta.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Liku: 18/11/2022 12:30

    Spaku paguhet me rroge super nga taksa paguesit dhe nuk justifikon rrogen prandaj duhet te largohen te pa aftet dhe frikacaket.

    Përgjigju
  • Pavel: 17/11/2022 19:34

    Drejtesia ne Shqiperi eshte e vdekur,ndersa SPAK ne gjendje kome. Iluzione te humbura per shqiptaret!? Po aleatet strategjike cfare mendojne!? Shtrohet pyetja cfare do te behet me dinozauret S Berisha e I Meta!?zgjidhja:Drejtesia me patjter duhet te veproje.Ne te kundert nuk ka shtet te se drejtes!?....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës