TIRANË - Gjatë hetimit të rrethanave të vetëvrasjes së menaxherit të Regency Casino Jim Backlund , policia ka administruar dhe një mesazh në adresën e “Facebook” të gruas së suedezit.“…Të dua shumë ty dhe fëmijët…”, ky është teksi i mesazhit të fundit që kishte dërguar Jim Backlund. Mesazhi rezulton të jetë dërguar në orën 2 pas mesnatës së të Premtes, ku në këtë kohë nuk është parë nga bashkëshortja e tij.

Burime pranë policisë thanë se Pranvera Sakajeva, është njohur me këtë mesazh vetëm teksa ka shkuar në ambjentet e policisë, ku dhe është marrë në pyetje. Gruas, i është kërkuar nga ana e oficerëve të policisë që të hapte profilin e saj në “Facebook”,për të mësuar nëse i ndjeri i kishte dërguar ndonjë mesazh përpara se të merte vendimin ekstrem.

Lidhja intime
Gruaja ka deklaruar në polici se para 1 viti kanë pasur probleme në çift, sepse ai kishte pasur një të dashur edhe ajo e ka mësuar, këtë fakt. Gjithsesi më tej Pranvera Sakajeva ka deklaruar se të dy bashkëshortët i kishin sheshuar mosëmarrveshjet dhe kohët e fundit dukeshin të lumtur, të paktën një gjë e tillë është reflektuar dhe në të dy profilet e çiftit në “Facebook”. Mirëpo pavarësisht këto marëdhënie mes tyre janë përmirësuar sërisht,Jim Backlund nuk ka qënë i qetë, duke ndërmarë veprime ekstreme ndaj vetvetes së tij.

Plagët në trup
Disa plagë në kokë dhe në pjesën e barkut, policia i ka shpjeguar se i ka marrë nga shëmbja e trupit dhe nga degët e një peme që ndodhet shumë pranë ballkonit, prej nga është hedhur shtetasi Suedez. Madje gjatë lëvizjes së trupit të të ndjerit, në pjesën e barkut, janë konstatuar disa degë të pemës, të cilat ishin ngulur në trupin e të ndjerit. Këto plagë dhe shembja e trupit në betonin rreth pallatit sipas ekspertëve të policisë së Tiranës kanë sjellë vdekjen e menjëhereshme të shtetasit Suedez Jim Backlund.

Ekspertiza e pjatave
Një tjetër veprim hetimor që pritet të kryhet për të verifikuar nëse ka pasur ose jo persona të tjerë, brenda në shtëpi. Në tafolin e shtepisë, policia ka gjetur dy pjata, dhe disa gota, ku njëra nga pjatat ka disa përbërëz të ngjashëm me drogën. Ndërsa një gotë tjetër ka përmbajtje alkooli. Nisur nga kjo situatë, prokuroria dhe policia i kanë dërguar këtë sende për ekspertim. Ndërkohë trupi i pajetë i menaxherit të kazinozë, është dërguar për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore, në mënyrë që të përcaktohen shkaqet e vdekjes së shtetasit Suedez.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)