VATIKAN - Bota është zgjuar sot me një Papë të ri, i cili do të udhëheqë Kishën Katolike dhe 1.2 miliardë besimtarët katolikë në botë. Sot është dita e parë e Kardinalit Jorge Mario Bergoglio si Papa Françesku I, i pari udhëheqës i Kishës nga Amerika Latine, pas tymit të bardhë të dalë mbrëmë nga oxhaku i Kapela Sistina, ndërsa mijëra persona prisnin në sheshin Shën Pjeri për të dëgjuar fjalët e para të Papës së parë jo europian, jezuitit 76 vjeçar të ardhur nga Argjentina.

Dita e parë në krye të Vatikanit ka nisur mjaft herët për Papën e ri Jorge Mario Bergoglio, i cili në orën 08:00 ndodhej në Santa Maria Maggiore, një nga bazilikat kryesore për t’iu lutur Shën Marisë ashtu siç kishte paralajmëruar duke u lutur përreth gjysmë ore. Kjo ishte dalja e parë publike e tij e ndodhur vetëm pak orë nga zgjedhja në krye të Vatikanit.

Gjatë shoqërimit për në meshën e tij të parë, Papa Françesku nuk ka dashur të shoqërohet nga makina luksoze Scv 001 e vënë në dispozicion nga Selia e Shenjtë. Kjo kërkesë vjen si një analogji me vendimin e djeshëm për t’u kthyer në “Domus Santa Maria”me autobus së bashku me kardinalët, të cilët e zgjodhën. Gjithashtu ai ka reduktuar eskortën të vendosur nga policia e Shtetit Italian.

Papa është lutur në “Cappella Paolina” të Bazilikës Santa Maggiore përpara imazhit të Shën Marisë dhe më pas ka kënduar “Salve Ragina” duke u zhvendosur në “Cappella Sistina” të së njëjtës bazilikë duke u lutur sërish. Në përfundim ka bërë një pushim të shkurtër përpara varrit të Shën Pi V. Rrëfimi për qëndrimin e Papës në Santa Maria Maggiore, është bërë nga At Ludovico Melo, rrëfimtari i Bazilikës. “Ju jeni rrëfyesit, kështu që bëhuni të mëshirshëm me shpirtrat. Ata kanë nevojë për këtë gjë,”-mësohet të ketë rrëfyer atë Melo, duke cituar fjalët e Papës.

MESHA E PARE E PAPA FRANCESKUT
Papa Françesku i Parë, e filloi ditën e tij si kreu i Kishës Katolike Romane, me lutje në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores.

Më vonë gjatë ditës, ai drejtoi një meshë private në Kapelën Sistine, me kardinalët, të cilët e zgjodhën atë dje. Ai ka në plan të takojë së shpejti paraardhësin e tij Papa Benediktin, i cili u largua muajin e kaluar nga posti dhe po qëndron tani tek rezidenca papale verore në periferi të Romës.

LIDERET BOTERORE UROJNE PAPA FRANCESCON NE MISION E TIJ
E gjithë bota ka mirëpritur Papën e ri nga Argjentina dhe urimet më të mira dhe më të sinqerta kanë ardhur nga cdo cep i botës.
Presidenti i Republikës Italiane Giorgio Napolitano është emocionuar nga fjalimi i Papa Françesku I

“Kjo është një ditë historike” tha presidenti Obama duke e cilësuar Papën e ri “mbrojtësi i i të varfërve dhe i të dobëve” dhe duke i dërguar urimet më të ngrohta në emër të popullit amerikan.
Presidentja e Argjentinës, Christina Fernandez de Kirchner, i uroi atij një mision të frytshëm pastoral dhe shprehu dëshirën që papati i tij të japë frutet e mira për drejtësi, barazi, vëllazëri dhe paqe në botë.

Përgëzimet më të sinqerta kanë ardhur edhe nga presidenti francez Francois Hollande duke uruar për rolin e rëndësishëm që i është besuar kreut të ri të Kishës Katolike për tu përballur me sfidat e botës bashkëkohore.

Presidenti i Parlamenti Evropian Martin Schulz i ka uruar forcë, kurajo Papës së sapozgjedhur që ka mundësinë për rinovim në një moment që Kisha po përballet me sfida të shumta.

Edhe lideri i Kubës Raul Kastro në një deklaratë shpërndarë mediave në Havana ka shprehur përgëzimet më të përzemërta dhe urimet për papatin e tij.

Papa Françesku I është papa i 266-të në historinë dy mijë vjeçare të Kishës Katolike dhe merr këtë detyrë në një kohë krize dhe vështirësish.

Edhe pse është konservativ, ai shihet si reformist dhe nuk ishte në mesin e grupit të vogël që shiheshin si kandidatët më potnecialë para zgjedhjes.

(sg/shqiptarja.com)