Jeta ka një mënyrë të veçantë për të bashkuar njerëzit. Momente që duken krejt të zakonshme, me kalimin e viteve shndërrohen në histori që duken sikur kanë qenë të shkruara në yje. Një prej tyre është ajo që lidh Lionel Messin me Lamine Yamalin, dy emra që tashmë do të përballen në finalen e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.
Për ta kuptuar këtë histori, duhet të kthehemi në vitin 2007. Në disa fotografi që sot kanë marrë një vlerë të jashtëzakonshme, një Messi 20-vjeçar mban në krahë një foshnjë disa muajshe, madje e lan në një vaskë të vogël gjatë një seance fotografike të organizuar për një kalendar bamirësie të gazetës spanjolle “Sport”, në bashkëpunim me UNICEF, atëherë sponsor i Barcelonës.
Foshnja ishte Lamine Yamal. Familja e tij ishte përzgjedhur mes shumë familjeve që bashkëpunonin me UNICEF për të marrë pjesë në projektin bamirës, pa e imagjinuar se ai moment do të bëhej një nga fotografitë më ikonike të futbollit.
19 vite më vonë, rrugët e tyre kryqëzohen sërish, por në një skenë krejt tjetër. Jo më në “Camp Nou”, mes një vaske dhe lodrave të fëmijëve, por në finalen e Botërorit 2026, ku Messi dhe Yamal do të udhëheqin Argjentinën dhe Spanjën në betejën për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.
Nëse në vitin 2007 Messi e mbante Yamalin në krahë, këtë herë 19-vjeçari spanjoll do të kërkojë t'i rrëmbejë legjendës argjentinase trofeun e Kupës së Botës. Një duel që premton të hyjë në histori dhe që do t'i japë jetë edhe një fotografie tjetër, po aq të paharrueshme sa ajo e para.
Messi dhe Yamal
Komente




