Pas ankesës së mësueses nga Rrësheni pak ditë më parë për mungesën e ilaçeve në spitalin “Onkologjik” kryeministri Edi Rama e ka shoqëruar vetë në spital në orët e para të këtij mëngjesi. Mësuesia nga Rrësheni vuan nga kanceri i gjirit dhe gjatë një takimi në Rrëshen i shprehu shqetësimin, ndërsa Rama i premtoj se brenda 10 ditëve do të siguronte ilaçin në spital. Premtim e ka mbajtur, madje e ka shoqëruar vet mësuesen siç duket edhe nga videoja e postuar nga vetë kryeministri.

800 flakonë vinin në vit para 4 vitesh. Tani vijnë 4 mijë. Mirëpo nevoja është për më shumë. Ne duhet të dyfishojmë vetveten sot, edhe pse kemi më shumë se 4-fishuar në raport me atë që gjetëm,” shprehet Kryeministri. Kryeministri siguroi se ndërkohë po punohet për një zgjidhje përfundimtare. “Kemi diskutuar për këtë me ministren. Së pari, kemi pasur një problem shumë të madh këtë vit, se për herë të pare, edhe për shkak të ndryshimit të qeverisë dhe historirave të vitit të kaluar, nuk u bë lista e barnave të rimbursueshme në kohë.

Tani, procesi është vënë në vijë dhe përsa i përket këtij ilaçi, që është shumë i shtrenjtë, tmerrësisht i shtrenjtë, ne diskutuam një mënyrë alternative, me një marrëveshje kuadër me kompaninë e huaj që e sjell. Është një metodë që e përdorin edhe në vendet e BE-së, për të mundur që ta marrim me çmim të arsyeshëm dhe ne do bëjmë çmos që ta plotësojmë këtë. Progresi që kemi bërë është shumë i madh. Mundësia për të ndihmuar është shumë e madhe sot. Ne kemi garantuar tani një periudhë goxha të gjatë dhe brenda kësaj periudhe, ne do shikojmë zgjidhjen përfundimtare,” shprehet Kryeministri.

Valbona kishte një mesazh pas marrjes së ilaçit. “Nuk e prisja një reagim kaq shpejt. Pa dashjen time u ndodha brenda pak ditëve dy herë në qendër të vëmendjes. Realisht jam shumë e emocionuar. Më vjen mirë që një zë në një dëgjesë publike u bë shkak për një nxitje që ujërat të lëvizin dhe gjërat të shkojnë për mbarë. Unë do u bëja një mesazh të gjithë njerëzve kudo që janë, nëse shohin një padrejtësi, të mos heshtin dhe të reagojnë.”

Platforma e bashkëqeverisjes, nënvizon Kryeministri, është instrumenti në duart e qytetarëve për ta çuar problemin e tyre drejt e tek strukturat përgjegjëse dhe deri në nivelet më të larta. Në çdo rast, përgjigja jepet brenda 10 ditëve.

Kush na drejtohet nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes merr reagim të menjëhershëm. Ne patëm fatin të takohemi në atë takimin e bashkëqeverisjes dhe mu drejtuat gojarisht, por e njëjta gjë është. Tani nuk e kemi në dorë të bëjmë magji, por kemi në dorë të bëjmë atë që mundemi dhe minimumi është t’u përgjigjemi njerëzve. Është i njëjti reagim për të gjithë ata që i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes, sepse, në kohë reale, çdo çështje që ka të bëjë, p.sh., me Ministrinë e Shëndetësisë direkt shkon në tryezën e Ministrisë dhe brenda 10 ditëve ne i japim përgjigje.”​​