Meta audio-mesazh nga qelia: Rama e ka futur veten te listat e mbyllura, i kushtëzoi qëllimisht më 2008! E vetmja arritje e tij, vjedhja e orës së ish-presidentit Bush

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka postuar sot një audio-mesazh për mbështetësit e tij, ku i bëri thirrje të votonin më 11 maj për të në listën e hapur të Tiranës dhe për kandidatët e partisë.

Nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej 21 tetorit 2024, Meta thekson se kreu i mazhorancës, Edi Rama po mban peng demokracinë dhe po burgos opozitën.

“Ai kërkon të shmangë vëmendjen nga asgjësimi përfundimtar që po u bën socialistëve të paktë që i kishte mbajtur deri tani, sa për shenjë”, shprehet kreu i PL mes të tjerash në mesazhin e tij.

Meta e quan frikë mbylljen e Ramës në listat e Tiranës si i pari, duke e krahasuar me atë të 2021 kur kandidoi i teti në listë, pasi e kishte blerë fitoren.

“Ishte Edi Rama ai që kushtëzoi qëllimisht me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 listat e mbyllura, pikërisht për të shndërruar Kuvendin, siç është sot, në një “noter” të korrupsionit të tij skizofrenik. Ndaj fitorja plotësisht e mundshme me 84 mandate e opozitës, garanton edhe hapjen e plotë të listave përgjithmonë edhe pa Ramën”, thotë ai.

Duke kujtuar ‘bëmat’ e kryeministrit ndër vite, Meta shprehet se e vetmja arritje e kryeministrit ishte “vjedhja e orës së ish-presidentit Xhorxh Bush nga xhelozia”, gjatë vizitës në Shqipëri gati dy dekada më parë.

Audio-mesazhi i plotë i Ilir Metës:

Të dashur qytetarë! Fitorja i zgjidh të gjitha!

Prandaj të gjithë faktorët opozitarë tani kanë vetëm një rrugë, për t’i dhënë një zgjidhje historike së ardhmes së Shqipërisë, duke ndëshkuar përgjithmonë pengmarrësit e demokracisë, llogaridhënies, parlamentarizmit, integrimit europian të vendit, por edhe pengmarrësit jo vetëm të Partisë Socialiste, por edhe të opozitës në veçanti.

Atij që e keqpërdori pushtetin për të blerë, korruptuar e shantazhuar drejtuesit e opozitës dhe që sot nxjerr lotë “krokodili” për primaret e PD-së, të cilat janë si dita me natën me përzgjedhjet e tij personale në errësirë si Kryetari i Organizatës me anonimët pafund, shumica të rekomanduar nga bandat e njohura.

Po kështu, ai kërkon të shmangë vëmendjen nga asgjësimi përfundimtar që po u bën socialistëve të paktë që i kishte mbajtur deri tani, sa për shenjë.

Ai që në 2021–shin kandidoi i teti në Durrës dhe kishte kopsitur rezultatin me bandat dhe partnerin e tij të errësirës së 17 Majit, tani është kyçur i pari në bunkerin e listave të mbyllura bashkë me gjithë anonimët, që nesër s’mund t’i kërkojnë dot llogari për humbjen.

Ai të cilit, as socialistët nuk ja njohin për fytyrë të paktën 3/4 e Ministrave, ka hallin e kontributeve të 2 apo 3 demokratëve të papërfshirë në listat e opozitës.

Ai që është kyçur sy më sy me vetveten dhe e ka tmerr të dalë me gazetarë të pavarur, ka hallin e demokracisë. Ndaj opozita e ka rrugën e qartë për të korrigjuar edhe çështjen e listave të mbyllura njëherë e përgjithmonë.

Ishte Edi Rama ai që kushtëzoi qëllimisht me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 listat e mbyllura, pikërisht për të shndërruar Kuvendin, siç është sot, në një “noter” të korrupsionit të tij skizofrenik. Ndaj fitorja plotësisht e mundshme me 84 mandate e opozitës, garanton edhe hapjen e plotë të listave përgjithmonë edhe pa Ramën.

Për këtë, garanci është Partia e Lirisë që ka qenë kundër këtij projekti të mbylljes së listave që në vitin 2008. Për këtë garant është edhe vet premtimi publik i Z. Berisha, i cili ka deklaruar se është pro listave të hapura. Për këtë, garant do të jenë edhe gati 40 deputetë të opozitës që do të zgjidhen nga listat e hapura më 11 Maj.

Ndaj të përqendrohemi të gjithë tek programi ynë i shkëlqyer që i jep fund Narkoekonomisë, ekonomisë klienteliste dhe kriminale në shërbim të pakicës dhe të votojmë për një Shqipëri prodhuese dhe eksportuese, në interesin e të gjithë shqiptarëve. Arritjet më të mëdha integruese nuk kanë aspak lidhje me shakaxhiun dhe penguesin e integrimit, i cili s’ka asnjë meritë në liberalizimin e vizave, arritja më e madhe në Bashkimin Europian, që u realizua nga koalicioni PD -  LSI.

Dhe mos harroni që publikisht ai paralajmëronte Bashkimin Europian, se kjo do të sillte largimin e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian dhe kjo ndodhi, por shumë vite më vonë si rezultat i programit të tij shpopullues. Asnjë kontribut nuk ka ai për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kur besoj nuk e keni harruar dhe një miting dëshpërues që bëri pas kësaj ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë.

Dhe po kështu të gjithë e dinë  “kontributin” e tij në vizitën historike të Presidentit Bush, ku ai, në Krah të Kryeministrit Berisha në atë kohë, shpalli edhe Pavarësinë e Kosovës nga Tirana. Ah për pak harrova, i vetmi kontribut i tij është që shpiku vjedhjen e orës të Presidentit Bush, që u bë lajm botëror pikërisht nga xhelozia.

Ndaj të gjithë të përqendrohemi në programin tonë të shkëlqyer që është në interes të të gjithë shqiptarëve. Të gjithë të përqendrohemi në një Fitore Madhështore që garanton Shqipërinë Madhështore, pikërisht Shqipërinë si fuqi eksportuese”.

 

 

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Fortlumturi Joani: Mos e braktisni Shqipërinë, është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur

Fortlumturi Joani: Mos e braktisni Shqipërinë, është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur