-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, takon Kryetarin e Parlamentit të Irlandës, Sean Barrett-
TIRANË, 27 Janar/ATSH/- Në kuadër të tryezës së Kryeparlamentarëve me rastin e Ceremonisë së 70-të Përkujtimore të Holokaustit në Pragë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një takim dypalësh miqësor me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës, Sean Barrett.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi marrëdhëniet dhe miqësinë që ekziston mes Shqipërisë dhe Irlandës, duke theksuar se miqësia e ngrohtë që ekziston mes dy popujve duhet reflektuar përmes një dinamike të re në marrëdhëniet dypalëshe. Te dy homologët, Meta dhe Barrett, ndanë bindjen e përbashkët se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar përmes iniciativave konkrete të grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave reciproke.
Kryetari i Parlamentit të Irlandës, Sean Barrett, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në vite, konfirmoi mbështetjen e plotë të Irlandës përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se Irlanda është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë kontekst, si një vend që ka përfituar zhvillim ekonomik e social të madh falë anëtarësimit në BE.
Meta dhe Barrett diskutuan gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Irlandës në organizatat ndërkombëtare dhe në planin bilateral, veçanërisht në fushat e arsimit, industrisë ushqimore, bujqësisë, mjekësisë dhe investimeve./i.v//a.ke/










