Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të hënën se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga detyra e ambasadores amerikane në Greqi, pas një sërë raportimesh për sjellje të dyshuara të papërshtatshme. I pyetur për këtë çështje, Trump tha se nuk ishte i kënaqur me situatën.

“Po e shqyrtojmë, po. Nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve, kur u pyet nëse po mendonte ta shkarkonte Guilfoyle-n.

Presidenti ka ndjekur raportimet sipas të cilave Guilfoyle ka pranuar dhurata luksoze gjatë ushtrimit të detyrës si ambasadore dhe ka kërkuar para në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarë të administratës, përpara se emërimi i saj të konfirmohej nga Senati.

CNN raportoi të dielën se Trump po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të saj dhe, sipas një personi të njohur me çështjen, pritej që presidenti të merrte një vendim së shpejti.

Avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar akuzat se ajo ka kërkuar para në këmbim të aksesit te zyrtarët, ndërsa i kanë cilësuar si ç'orientuese raportimet lidhur me udhëtimet e saj. Ata kanë deklaruar gjithashtu se klientja e tyre ka respektuar kërkesat federale për pranimin dhe deklarimin e dhuratave.

Një burim i njohur me çështjen i tha CNN-it të hënën se Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Shtetit po heton Guilfoyle-n në lidhje me pretendimet për sjellje të papërshtatshme.

Zyra e shtypit e Inspektorit të Përgjithshëm nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Kjo zyrë, si rregull, nuk komenton hetimet në zhvillim.

“Si çështje e politikës sonë institucionale, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit nuk konfirmon, nuk mohon dhe nuk komenton çështjet që lidhen me hetimet”, deklaroi një zëdhënës i saj për CNN-in javën e kaluar.

Raportimet për Guilfoyle-n kanë shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët e lartë të administratës, veçanërisht pasi ato dolën në publik në një kohë kur sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndodhej në Athinë për një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, të mbajtur në Akropol.

Të premten, kur CNN-i e pyeti Trump-in për akuzat, presidenti nuk e mbrojti Guilfoyle-n.

“Sapo dëgjova për këtë. Është për të ardhur keq. Dua të them, nuk e di”, u shpreh Trump. “Kam dëgjuar vetëm pak për këtë. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme.”

CNN-i i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment lidhur me këtë çështje.

Pretendimet për një pagesë prej 100 mijë dollarësh

Eric Deters, një ish-donator i Trump-it, deklaroi se Guilfoyle i kishte kërkuar, përmes një mesazhi me tekst, t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer detyrimin e saj ndaj kompanisë së kartave të kreditit American Express. Sipas tij, kërkesa ishte bërë disa ditë përpara konfirmimit të emërimit të saj nga Senati.

Deters nuk ia transferoi paratë, duke shpjeguar se në atë kohë nuk kishte fonde të mjaftueshme likuide për ta bërë këtë.

Mesazhet u raportuan fillimisht nga gazeta The Wall Street Journal.

Në një deklaratë të dhënë për CNN-in, avokatët e ambasadores thanë se Deters i detyrohej Guilfoyle-s para për shërbime të kryera më parë, përfshirë fjalime dhe konsulencë. Ata i cilësuan të pavërteta deklaratat e tij.

“Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të largohej nga sektori privat për t'iu bashkuar shërbimit publik, ajo bëri atë që do të bënte çdo profesionist: u përpoq të mblidhte detyrimet e papaguara ndaj saj. T’i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer nuk është korrupsion. Përkundrazi, është e kundërta e korrupsionit”, thuhej në deklaratën e avokatëve.

Sipas personit të njohur me çështjen, Guilfoyle u ka mohuar gjithashtu zyrtarëve të administratës, javën e kaluar, se i kishte dërguar mesazhet në fjalë.

Guilfoyle ka ruajtur marrëdhënie të afërta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit, me të cilin kishte qenë e fejuar për katër vjet, ajo mori postin e ambasadores amerikane në Greqi.

Aleatë të presidentit dhe të djalit të tij i thanë CNN-it se e konsideronin këtë situatë të sikletshme, ndonëse mbetet e paqartë nëse Guilfoyle do të përballet me pasoja.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se nuk i sheh me sy të mirë rastet kur persona të afërt me të përfitojnë financiarisht nga marrëdhënia me të.

Deters paralajmëron padi për shpifje

Të hënën, Deters i tha CNN-it se nuk ishte kontaktuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm. Ai deklaroi, megjithatë, se i kishte drejtuar një mesazh shefes së kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për ta njoftuar se synonte të ngrinte padi për shpifje kundër Guilfoyle-s, pasi avokatët e saj kishin vënë në dyshim vërtetësinë e mesazheve të pretenduara. Sipas tij, nuk kishte marrë përgjigje.

“Situata nuk po përmirësohet aspak për ta”, tha Deters për administratën Trump. “Do ta padis atë dhe avokatët e saj për shpifje, sepse pretendojnë se mesazhet e saj me tekst janë të rreme. Pastaj do të përballen me një padi, ajo do të jetë nën vëzhgimin e komisioneve dhe do të përballet me vëmendjen e medias.”

CNN-i i kërkoi Shtëpisë së Bardhë një koment lidhur me synimin e Deters për të ngritur padi.

Të premten, zëvendëspresidenti JD Vance nuk pranoi të paragjykonte nëse Guilfoyle duhet të përballet me pasoja, duke thënë se nuk dëshironte t'i “gjykonte njerëzit në gjykatën e opinionit publik”.

Megjithatë, ai shprehu rezerva të qarta ndaj skemave që përfshijnë shkëmbimin e parave me aksesin te zyrtarët.

“Natyrisht, nuk më pëlqen që dikush të shesë aksesin te një zyrtar tjetër qeveritar, sidomos kur bëhet fjalë për një zyrtar të nivelit të lartë”, tha Vance.

“Le të shohim se cila është e vërteta. Dhe, sigurisht, nëse ka ndodhur diçka e papërshtatshme, atëherë personat përgjegjës duhet të mbajnë pasojat”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Guilfoyle e cila ka vizituar Shqipërinë 2 herë brenda këtij viti dhe ka zhvilluar edhe takime me kryeministrin Edi Rama.