Një përplasje në distancë ka ndodhur ndërmjet dy ish-aleatëve, konkretisht kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës dhe kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, akuzoi Bashën për pazare me kryeministrin Edi Rama.
‘Nuk e di kush është treshja më e vjetër e politikës në vend e për cilat pazare bëhet në vend. Dmth unë jam pjesë e një tresheje ku është ish shefi i tij, shefi i tij aktual dhe unë jam pjesë e pazareve që ka votuar ky? Për të cilat ka votuar ish shefi i tij dhe unë kam bërë grevë? Për pazarin e 17 majit? Apo bëhet fjalë për pazarin që mos të jepte alternativë për reformën territoriale? Dhe ai kurrë nuk e solli atë se që atëherë ka qenë në Pazar me shefin e tij aktual. E di gjithë Shqipëria se kush është njeriu I pazareve, kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizmin dhe nuk bëhesh njeri duke lyer flokët, as duke thënë se unë jam fitimtar se bëj lapsuse siç bën presidenti i SHBA.’- tha Meta.
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Metën se është bërë bashkë me Ramën dhe Berishën në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore. Basha, duke ju referuar Metës, thotë se nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga.
‘Politikanët e vjetër të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar nuk e kanë thjesht betejën me Partinë Demokratike, por, mbi të gjitha, ata e kanë me popullin shqiptar. Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrit, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Personalisht nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman.’- shkruan Basha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në konferencën me gazetarët ditën e sotme dha edhe një koment për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Himarës, Jorgo Goros. Meta shprehet se pas këtij arrestimi qendron kryeministri Rama, i cili kërkon të shkarkojë përgjegjësinë.
'Arrestimi është demonstrim i politikës së bedelave që përdor Rama pasi i përdor e i shtyp mirë e mirë për llogari okulte, bazuar mbi paligjshmëri, pastaj kujton se me arrestime të tilla do shkarkojë një pjesë të përgjegjësisë së tij, ku dihet që është i vetmi përgjegjës… është si matroshkat ruse.', thotë Meta.
Nga ana tjetër, Meta dha edhe një koment sa i takon mbajtjes në burg të Fredi Belerit. Për të, rasti Beleri është një pikë ujë në oqeanin e paligjshmërisë ku ndodhet vendi sot.
'Ajo që ka ndodhur (arrestimi i Belerit) është një gjëmë për ekzistencën e shtetit ligjor, i cili praktikisht nuk eziston se është kapur për fyti nga Edi Rama, rasti Beleri është demonstrimi më i mirë i kësaj gjëje. Këtë gjë e kam shprehur edhe në mediat ndërkombëtare e mediat greke kur më kanë pyetur, por për shkak të politikës së tyre, një mesazh kyc që u kam dhënë se rasti Beleri është një pikë në ujë në oqeanin e paligjshmërisë ku ndodhet vendi, ku ndodhet shteti ynë. Është një përgjegjësi e atyre që kanë heshtur deri më sot për kapjen e shtetit nga Rama, e sot alarmohen kur shohin raste të tilla si Beleri.'