TIRANE-Pas rikthimit në detyrë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka shkuar zyrë. Koni pasi vlerësoi vendimin e kreut të shtetit për rrëzimin e dekretit, theksoi se pavarësisht kërkesës së Besa Shahinit për shkarkimin nga detyra, është i hapur për bashkëpunim me ministrinë e Arsimit për të çuar përpara reformën në Arsimin e Lartë. "Vlerësoj dekretin e Presidentit, mbrojti autonominë universitare. Kam zhvilluar një takim me Presidentin dhe i kam paraqitur me shkrim argumentet lidhur me pretendimet e ministres. Kolegët më mbështesin në cdo hap. Nga ana ime nuk do të ketë asnjë ngërç, jam i hapur për bashkëpunim me ministrinë e Arsimit" tha ai.

Pak javë më parë Koni u pezullua nga detyra nga ministrja Besa Shahini pas paralajmërimit nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në fillim të muajit Prill se rektori nuk ka mbajtur përgjegjësitë që i takojnë në raport me problemet e studentëve. Në vendin e tij, Shahini komandoi Bernard Dostin, që ishte zëvendës rektor.

Por dje, Meta rrëzoi kërkesën për shkarkimin e tij, ndërsa tashmë pritet se cili do të jetë qëndrimi i ministrisë dhe qeverisë. Rrëzimi i kërkesës për shkarkimin e Konit është vendimi i disatë i Presidentit kundër qeverisë, pasi më parë ka rrëzuar vettingun në policinë e shtetit, ligjin për Teatrin, Tatimin për të Ardhurat, Noterinë dhe Kadastrën.