Presidenti Ilir Meta kujton sot 109 vjetorin e lindjes së Migjenit, dhe thotë se vargjet e tij janë uragan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë. Edhe sot Meta ka përdorur sulmet ndaj qeverisë përmes figurave të njohura duke 'ëndërruar' revolucionin e shumëpritur nga ai.

Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë.

Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik.

Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë.

Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare.

Por veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt.

Aq bukur ajo shprehet në vargjet:

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.” shkruan Meta