Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti sot Mbrojtësin e të Drejtave të Francës  Jacques Toubon, të cilin e falenderoi për pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare mbi Sfidat e Ombudsmanëve përballë flukseve migratore”, që u zhvillua këtë javë në Tiranë.

Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit dhe e mbështet atë plotësisht në misionin fisnik të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve. Meta nënvizoi se forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri i shërben avancimit të procesit të integrimit evropian të vendit.

Mbrojtësi i të Drejtave të Francës, Jacques Toubon shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare  të Ombudsmanëve mbi flukset migratore dhe vlerësoi mbështetjen që Kuvendi i Shqipërisë i jep institucionit të Avokatit të Popullit.

Toubon theksoi se roli i Avokatit të Popullit përbën një kontribut thelbësor në forcimin e shtetit të së drejtës, veçanërisht e rëndësishme ky për një vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, Meta dhe Toubon diskutuan edhe mbi ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë duke vlerësuar miratimin me konsensus të kësaj pakete madhore kushtetuese dhe theksuan rëndësinë e progresit substancial e pa vonesa gjatë muajve në vazhdim.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)