/ATSH//-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në ndarjen e çmimeve të "Olimpiadën Profesionale", që organizuar në qendrën tregtare "Megatek" me pjesëmarrjen e disa prej shkollave të mesmen profesionale nga qytetet të ndryshme të evndit por edhe nga Kosova.
Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si edhe nga Agjencisë së Arsimit Profesional.
Në fjalën e tij, Meta theksoi se Shqipëria ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike e cila kërkon edhe një fuqi më të kualifikuar e cila do të vijë në radhë të parë nga arsimi profesional.
"Ky kompeticion është një mesazh për të gjithë të rinjtë kudo në të gjithë vendin për t'iu përkushtuar edhe më shumë arsimimit profesional dhe formimit profesional si rruga më e sigurt për të rritur dhe për të formuar një gjeneratë të re, të aftë ta gjejë veten menjëherë në tregun e punës me sukses të plotë", theksoi ai.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi dhe qeverinë, edhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për angazhimin e veçantë dhe për prioritetin që i kanë dhënë arsimit profesional.
"Fakti që pritet vetëm për këtë vit të ketë një rritje të pranimit në shkollat e mesme profesionale të të rinjve me më shumë se 40 për qind, tregon se të rinjtë po e gjejnë dhe po e orientojnë shumë shpejt veten në rrugën e formimit profesional dhe të suksesit të tyre në tregun e punës nesër", tha Meta ndërsa falënderoi pjesëmarrësit nga shkollat profesionale të Kosovës.
Zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula tha se entuziazmit të të rinjve për të marrë aftësi dhe për të marrë zanate, qeveria i është përgjigjur menjëherë me një përmirësim shumë të madh të infrastrukturës të shkollave profesionale.
Edhe zv. Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Nora Malaj vlerësoi orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional.
"Energjia e të rinjve tanë është në drejtimin e duhur, Kjo është zgjidhja më e mirë për ju, për familjen tuaj dhe për të gjithë standardin dhe cilësinë e jetës së popullit shqiptar . Ju sot treguar se shkolla jonë është në drejtimin e duhur. Na treguat se investimet që po bën qeveria janë në drejtimin e duhur. Ju sot treguat se jeni pjesa e aftë që nesër të bëheni pjesë e punësimit të drejtpërdrejtë në sektorët më të rëndësishëm të vendit tonë", tha Malaj.
Në fund, u shpërndanë edhe çmimet për fituesit e Olimpiadës Profesionale, aktivitet që synon promovimin e arsimit profesional në Shqipëri përmes trajnimit e më pas konkurrimit teorik dhe praktik të nxënësve të vitit të 3-të dhe 4-t në termohidraulikë, ndërtim, elektroteknikë, bujqësi (kopshtari), përpunim druri, etj