TIRANË- "Franca si vend me peshë të veçantë në Bashkimin Evropian, përfaqëson një aleat të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për të ardhmen e gjithë rajonit tonë", deklaroi sot Kryeparlamentari Ilir Meta në takimin me Ambasadorin e ri të Francës në Shqipëri,  Bernard Fitouss.
Në këtë drejtim, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen gjithnjë në rritje të Francës ndaj Shqipërisë, duke vënë në dukje intensifikimin e shkëmbimeve të gjithanshme dypalëshe gjatë viteve të fundit.  Ambasadori Fitoussi shprehu kënaqësinë për fillimin e detyrës së re dhe njëkohësisht bëri një vlerësim për progresin e gjithanshëm që ka arritur Shqipëria në vite si në planin social ashtu edhë në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke theksuar se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe ndër-parlamentare mes dy vendeve të të përfitonin edhe më tepër nga forcimi i dimensionit ekonomik e tregtar të bashkëpunimit dypalësh. Në përfundim Ambasadori i Francës z. Fitoussi e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit z. Meta për rolin tepër pozitiv, moderues e stabilizues që Shqipëria luan në rajon, kontribut të cilin Franca e sheh në shërbim të integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa në takimin me Ambasadorin e ri të Konfederatës Zviceriane në Shqipëri, Christoph Graf, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se marrëdhëniet ndërparlamentare duhen forcuar më tej në funksion të hapjes së një ere të re të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve".
Në këtë drejtim z. Meta vlerësoi Strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran 2014-2017 dhe theksoi se Shqipëria mbetet e hapur për rritjen e investimeve zviceriane në vend e në rajon.
Ambasadori i Zvicrës z. Graf shprehu kënaqësinë e fillimit të detyrës së re në Shqipëri dhe nënvizoi se puna e Ambasadës do të fokusohet në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare duke inkurajuar më tepër projekte dhe investime zvicerane në vend.
Në përfundim z. Meta dhe z. Graf biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke vlerësuar peshën që ka roli konstruktiv e stabilizues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit./ATSH/