Ndërkohë, kjo pritje e Metës me gazetarët vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama i sulmoi ashpër, duke i quajtur ata të paaftë dhe të paditur.
“Kur deformohet dhe cenohet liria dhe të drejtat e gazetarëve pa dyshim që është cenuar vetë themeli i sistemit tonë demokratik. Solidaritet të veçantë shpreh për gazetarët e terrenit, që raportojnë në mënyrë të menjëhershëm, shpesh edhe duke sakrifikuar e rrezikuar për shkak të ngjarjeve dhe karakterit të ndryshëm të tyre, gjithmonë në shërbim të lirisë, në shërbim të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të sistemit tonë demokratik", tha Meta.
Fjala e Presidentit Meta:
Dëshiroj të shpreh respektin dhe mirënjohjen për misionin tuaj si misionarë të fjalës së lirë dhe të vetë lirisë mbi të cilën është ndërtuar e gjithë shoqëria jonë demokratike, dhe pa garantimin e të cilës ajo nuk mund të funksionojë më mirë dhe sipas standardeve evropiane. Me këtë rast dua të shpreh solidaritetin më të fortë dhe më të sinqertë me të gjithë gazetarët në vendin tonë në shërbim të misionit të tyre, që ka një rëndësi vendimtare dhe kyçe dhe për të ardhmen e mëtejshme të vendit. Ashtu sikurse ka qenë vendimtar dhe jetik i gjithë ai progres që vendi ka realizuar në këto 27 vite.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.
Të respektojmë integritetin profesional të gazetarëve! Askush të mos intimidojë dhe për asnjë arsye këtë integritet profesional dhe akoma më rëndë personal, për shkak të profesionit tuaj dhe shërbimit tuaj ndaj të vërtetës dhe ndaj ngjarjeve, fakteve, pasi kur deformohet dhe cenohet liria dhe të drejtat e gazetarëve, pa dyshim që është cenuar vetë themeli i sistemit tonë demokratik dhe kjo është një ndjeshmëri, që jam i bindur se e ka e gjithë shoqëria jonë në tërësinë e saj.”
Institucionet të veprojnë në mënyrë të menjëhershme dhe shembullore sa herë që ka akte dhune apo përpjekje për akte të tilla ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, për shkak të përmbushjes së detyrës suaj dhe të realizimit të misionit tuaj.
Gjithmonë do të jem këtu gjatë këtyre pesë viteve në mbështetjen e misionit tuaj, të të gjithë gazetarëve. Një solidaritet të veçantë do të doja të shprehja sidomos për gazetarët e terrenit, për ata që raportojnë ngjarjet, faktet, në mënyrë të menjëhershme shpesh dhe duke sakrifikuar në çdo kohë, shpesh dhe duke rrezikuar për shkak të ngjarjeve dhe karakterit të ndryshëm të tyre gjithmonë në shërbim të lirisë, në shërbim të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik.
[gallery]24512[/gallery]
d.c./shqiptarja.com

VIDEO





