Meta-Hahn: Votojmë draftin 
menjëherë pas dakordësisë politike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me  Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili shoqërohej prej Ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Fokusi i bisedimeve mes Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta dhe Komisionerit të BE, z. Johannes Hahn u vendos mbi rëndësinë e përmbylljes së fazës së ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, ku z. Meta rikonfirmoi se menjëherë pas dakordësisë së palëve politike në Komisionin e Posaçëm, ndryshimet e propozuara do të votohen menjëherë në Kuvend pa vonesa.

Duke theksuar rëndësinë e konsensusit për një reformë të qëndrueshme, z. Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e vyer të Komisionit të Venecias përgjatë këtij proces si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht të Misionit EURALIUS në Tiranë dhe të Parlamentit Evropian në gjetjen e një kompromisi dhe për garantimin e gjithëpërfshirjes.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se faza e implementimit të reformës në drejtësi është kyçe jo vetëm për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, veçanërisht në raport me investitorët.

Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn u shpreh se përmbyllja e reformës në drejtësi është faza më kyçe e këtij procesi dhe vuri në dukje se reformimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, z. Hahn theksoi se Komisioni Evropian do vazhdojë t’i qëndrojë pranë Shqipërisë për përshpejtuar progresin e procesit të integrimit evropian të vendit, i cili duhet trajtuar si një interes i përbashkët kombëtar.

Duke diskutuar mbi axhendën e reformave të tjera, z. Meta dhe z. Hahn theksuan më tej rëndësinë e realizimit në kohë të Reformës Zgjedhore në respekt të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Komisioneri Hahn biseduan në përfundim edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, ku u evidentua roli kyç i Shqipërisë si dhe u nda bindja se Procesi i Berlinit është thelbësor për thellimin e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal.
 
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shoqërohej në këtë takim nga Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Majlinda Bregu dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla. 

meta
meta

Redaksia Online
Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Serbi/ Studentët u rikthehen protestave në Beograd, bllokojnë pikat kryesore të qarkullimit në kryeqytet

Serbi/ Studentët u rikthehen protestave në Beograd, bllokojnë pikat kryesore të qarkullimit në kryeqytet