Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një interviste për medien amerikane Fox News, i ka kërkuar presidentit të SHBA Joe Biden që të kthejë sytë nga Ballkani duke pretenduar se Rusia kërkon të 'minojë vlerat dhe themelet evropiane' në rajon.

“Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka një mesazh të qartë për Presidentin Biden, “Mos harroni Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, kështu e nis artikullin Fox news.

"Meta, i cili ishte president i Shqipërisë nga viti 2017 deri në 2022 dhe tani drejton Partinë e Lirisë, është i shqetësuar se Shtetet e Bashkuara po harrojnë një nga aleatët e tyre më të rëndësishëm evropianë dhe NATO".

Në intervistë Meta tha se Ballkani “po vuan nga status quo” dhe se aktorë të jashtëm si Rusia janë përpjekur të pengojnë integrimin e rajonit në BE dhe anëtarësimin në NATO.

“Ata kërkojnë të krijojnë një vakum që duhet mbushur për ta për të minuar vlerat dhe themelet Europiane”, tha Meta.

Ish-presidenti paralajmëroi për rreziqet e nismës “Ballkani i Hapur”, një propozim që do të lehtësonte një fluks më të lirë të njerëzve dhe mallrave në të gjithë Ballkanin, që në pamje duket se do të përfitonte rajonin.

Por Meta e quajti nismën një “alternativë kundër integrimit evropian” dhe ka frikë se do të forcojë regjimet hibride si Serbia që do të minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të eliminojnë pluralizmin politik dhe do të dhunojnë median dhe lirinë e fjalës.