TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shprehur rezerva për sjelljen jo korrekte që ish-ministrja e Integrimit dhe kryetarja aktuale e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, ka pasur në lidhje me një ftesë të bërë nga Danimarka për këtë të fundit. Gjatë debateve në Konferencën e Kryetarëve, kryeparlamentari është shprehur se mes tij dhe deputetes së PD-së është shumë e vështirë të ketë bashkëpunim pavarësisht dëshirës që ekziston mes palëve.” Nuk kuptohemi bashkë, pavarësisht nga dëshira shumë e madhe për të kuptuar, se unë ju marr në telefon katër–pesë muaj përpara për një vizitë zyrtare në Danimarkë, që të jeni në atë delegacion si kryetare e Komisionit të Integrimit, ku konfirmohet emri juaj sipas kërkesës së palës pritëse, pasi jepte një audiencë mbretëresha, por ju nuk më bëni asnjë telefonatë që të më thoni se nuk vini dot, për çdo lloj arsyeje nuk është normale që këtë gjë ta marr vesh nga punonjësit e Kuvendit.

”- i është drejtuar Meta deputetes Bregu. Sipas Metës, një sjellje e tillë është sa e pakuptueshme aq edhe jo-korrekte për një deputete që e njeh axhendën zyrtare dhe korrektësinë për këto takimi. Deputetja e PD-së, nuk ka komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit por është ndalur në mënyrën e komunikimit mes mazhorancës dhe opozitës.Sipas kryetares së Komisionit të Integrimit, vendimet e Metës përpiqen të moderojnë sjelljen dhe vendimet arbitrare të kryeministrit Rama. E kuptoj se toni juaj kërkon të jetë moderues për të vrarë atë që tha zoti Rama publikisht, në një mënyrë më të ashpër, se pse nuk pranon kushte për votimin në sallën e Parlamentit.

Unë kuptoj që konsensusi në Komision dhe konsensusi në sallën e Parlamentit ka të bëjë me faktin që ju të mos i hapni vend një çështjeje që nuk biem dakord në Komision, por të shkoni dhe ta votoni me shumicën e kartonëve në seancë.”, deklaroi Bregu. Debatet mes kryetarit të Kuvendit Meta dhe deputetes së PD-së Majlinda Bregu, janë zhvilluar në Konferencën e Kryetarëve, ku ishte duke u diskutuar edhe mbi konsensusin e reformës territorial-administrative.

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)