TIRANË, 14 Dhjetor/ATSH/-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në inaugurimin e CCP ( Call Center Paskuqan) ku janë punësuar 100 të rinj të moshës (18-35 vjeç) dhe shumë shpejt numri i të punësuarve pritet të arrijë në 500.
Kryetari i Kuvendit, Meta, u shoqërua nga zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana (Mara) Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli si dhe Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Edmond Stojku.
Meta përshëndeti inaugurimin e këtij biznesi, si një mundësi më shumë për të punësuar të rinjtë, duke theksuar se "Unë dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që marr pjesë sot në inaugurimin e këtij aktiviteti kaq të mirëpritur këtu në Paskuqan, ku si rezultat i iniciativës të disa sipërmarrësve të këtij komuniteti të mrekullueshëm, më shumë se 100 të rinj dhe të reja sot kanë filluar punë në shërbimin e "Call Center-it". Një shërbim me mjaft perspektivë për të punësuar shumë të rinj dhe të reja, të cilët dëshirojnë të punojnë në kushte mjaft të mira dhe premtuese".
"Le të shpresojmë që shumë shpejt të vijmë për të inauguruar shtimin e kapaciteteve të këtij aktiviteti, i cili synon që pas një viti të arrijë një numër mjaft kuptimplotë për këtë komunitet, rreth 500 të rinj dhe të reja. Kështu që është një nisje e mbarë, një nisje konkrete që gëzon respektin dhe mbështetjen tonë më të plotë. Kjo është rruga e punësimit, rruga e zgjerimit të këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm, i cili në fushën e shërbimeve po zë një peshë gjithnjë e më të madhe pasi ne kemi shumë të rinj dhe të reja, të cilët kanë aftësi për të përdorur teknologji, për të mësuar dhe për t'u thelluar në gjuhët e huaja dhe të ofrojnë një shërbim mjaft të kualifikuar për kompani të huaja dhe për kompani vendase që realizojnë këto shërbime", tha Meta. /a.ke/