TIRANË, 18 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar te merkuren ne mbremje se brenda javës se ardhshme do të ketë konsultime me aleatet për kandidatët për zgjedhjet vendore. Meta theksoi se mazhoranca do të respektojë marreveshjen për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës publike dhe se nesër në seancën plenare pritet të miratohen anetarët e komisionit hetimor.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, doli në një prononcim për mediat, ku u shpreh se "Besoj se ditën e neserme Kuvendi do të miratojë vendimin dhe përbërjen e këtij komisioni, pasi ato së fundmi janë dorëzuar nga grupet përfaqësuese".
Po ashtu, Meta iu përgjigj interesit të mediave për disa nga çeshtjet më të nxehta në vend, ku spikati ajo e zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe kandidaturat për Tiranën dhe nëse ka një marreveshje mes PS-LSI. Meta u shpreh se  "Nuk besoj se do të ketë zona të ndara mes  PS-LSI dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësite, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, pavarësisht siglave që ata përfaqësojnë. Këto nuk janë zgjedhje politike, por zgjedhje vendore, por është detyra jonë të ndërtojmë një proces që të zgjedhë administratorët më të mirë për qytetarët dhe ky do të jetë pririoriteti me i gjërë për përfaqësuesit vendorë".
Ndërsa i pyetur se kur mund të dale emri i kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Meta u përgjigj se "javën e ardhshme do të kemi mundësinë për shkëmbimin e mendimeve përsa i përket procesit, i cili në çdo rast do jetë një proces parimor dhe konstruktin dhe do të synojë cilësinë e kandidateve dhe jo thjesht kënaqësite e orekseve të partive".
Lidhur me pyetjen se "Berisha është shprehur pro kandidaturës së Bashës për Tiranën dhe se a ndjeheni të sfiduar ju si mazhorancë", Meta u shpreh se "Mendoj se Berisha me shumë drejtë e ka shpallur Bashën si kandidatin për zgjedhjet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës dhe mendoj se ka të drejtë, sepse Berisha ka 10 vjet që punon për të ardhmen e Bashës dhe tani beteja i mbetet Bashës për ta bërë për Berishën".
Pyetjes se a duhet ish-Presidentet të përfshihen në reformën në drejtësi duke iu referuar deklaratave të fundit të ish-Presidentit Topi, Meta iu përgjigj se "kritika e ish- Presidentit Topi është e drejtë dhe mendoj se përfshirja e ish-Presidenteve në reformën në drejtësi është shumë e rëndësishme, sepse secili prej tyre mbart një eksperiencë të rëndësishme dhe të çmuar, pasi presidenti ka patur rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi qe do jetë e dobishme".
Për kandidaturen e zotit Zhiti, Meta tha se "kandidatura e Zhitit është e vlefshme për çdo post në Republikën e Shqipërisë". /a.ke/