DURRES-Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajčák (që ka kryesimin e radhës) dhe Presidentit të Asamblesë së OSBE-së që të ndërmjetësojnë zgjidhjen e krizës në Shqipëri mes shumicës dhe opozitës. Nga Durrësi, kreu i shtetit tha se në prag të marrjes së kryesimit të Presidencës së OSBE-së, Shqipëria duhet të jetë një shembull.

"Sot kam formalizuar një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës, ministrit të Sllovakisë dhe Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, meqë Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm për të negociuar me të dyja palët për një arritje të një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin por edhe të padenjë për një vend që duhet të jetë shembull në kryesimin e OSBE-së për funksionimin e institucioneve demokratike" tha ai.

Atë që po ndodh në Shqipëri prej disa muajsh, kreu i shtetit e cilëson si teatër politik, ndërsa kryeministrit Rama, kryetarit të PD-së, Basha dhe kryetares së LSI-së (bashkëshortes së tij) Monika Kryemadhi duke i cilësuar si tre 'artistët' e teatrit të madh politik u bëri thirrje ti japin fund kësaj gjendje që ka mbërthyer vendin.  "Besoj që jam shprehur qartë dhe përmes padisë në Kushtetuese për ligjin për Teatrin. Na shqetëson shumë ky teatri i madh politik, absurd, që kërcënon që Shqipërinë të dërrmojë cdo mundësi për të çelur negociatat në Tetor. Prandaj edhe njëherë u bëj thirrje në mënyrë të veçantë të tre artistëve, ti japin fund këtij absurdi, të marrin masat për zgjedhjet vendore në 13 Tetor, pasi qytetarët kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe garanton llogaridhënie".

Ilir Meta ngulmon për tre palë zgjedhje në 13 Tetor që sipas tij do të zgjidhnin krizën politike, por në kushtet kur shumica nuk pranon, ai duke iu drejtuar kryeministrit Rama e akuzoi se po u bën presion dhe shantazh institucioneve për të penguar zbatimin e dekretit për 13 Tetorin, si datë të re për zgjedhjet lokale, pasi anuloi 30 Qershorin. "Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithcka, por është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm, në radhë të parë për kryeministrin që të heqë dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj institucioneve duke penguar zbatimin e dekretit dhe padyshim është përgjegjësi e të gjithë të tjerëve që të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhje te 13 tetorit" tha ai, por as këtu nuk ka qëndrim unanim mes opozitës, pasi PD-ja më parë kërkon largimin e Ramës dhe qeveri teknike.

Në prononcimin e tij për mediat, Meta kishte kritika edhe për opozitën. Ai tha se nëse do të ishte me këmbë në tokë do të kishte penguar shumicën që sipas tij po kap institucionet. "Kam insistuar prej shumë kohësh për dialog dhe jo për diversion dhe demagogji, por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët për të rivendosur normalitetin dhe demokracinë në vend dhe që të funksionojë llogaridhënia.

Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithcka, një situatë kaotike në të gjitha drejtimet, kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve, asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse opozita i ka pasur mundësi për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë e skenarit të kapjes së institucioneve. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra tjetrën që janë; rruga e kapjes së institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e delegjitimimit të të gjitha institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët, anëtarësimi në BE dhe dy palët të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar këtë vullnet" tha Meta.