Forumi më i lartë i kësaj partie u mblodh sot pak përpara mesditës, për të diskutuar në hotel “Tirana International” daljen në zgjedhjet e 23 Qershorit.
Kryetari i LSI-së Ilir Meta duke informuar anëtarët e KDK-së, vlerësoi se koalicioni me PD pas zgjedhjeve të 2009 ndonëse ishte i panatyrshëm dhe jo i lehtë ishte në të mirë të vendit.
“Kryesia vlerësoi të përfunduar marrëveshjen qeverisëse me PD. Nuk ka qenë vendim i lehtë koalicioni me PD pas zgjedhjeve të 2009. Ishte një koalicion i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm, por ka qenë vendim i drejtë dhe i nxitur nga interesi i vendit dhe stabiliteti i tij. Koalicioni ishte i panatyrshëm për arsye, që i përmenda dhe më parë. “- sqaroi Meta.
PSE PRANUAM KOALICIONIN ME PD NE 2009 DHE PSE TANI I BASHKOHEMI PS
Meta tha se ishte PD, ''që kishte kërkuar koalicion pas zgjedhor në 2009" dhe se gjatë gjithë koalicionit qeverisës, LSI ka treguar se i është përmbajtur marrëveshjes. Sipas tij, shkëputja nga koalicioni ishte bërë pa lënë prapa qejfmbetje e pakënaqësi ndërsa ishte bërë e qartë me kohë që PD e LSI nuk do dilnin bashkë në zgjedhje politike.
"Kemi treguar se jemi forcë e ndërgjegjshme që i mbahemi një marrëveshje. Nuk kemi asnjë qejfmbetje e pakënaqësi. Ne i kemi qëndruar korrekt marrëveshjes dhe kemi bërë të qartë me kohë që një koalicion mes PD er LSI në zgjedhje politike ishte i panatyrshme për arsye që i përmenda dhe më parë. "- tha Meta.
Për kryetarin e LSI-së koalicion PD- LSI solli risi që do të studiohet pasi kapërceu një tabu të rëndësishme, ndërkohë që koalicioni me PS hap një kapitull të ri.
"Koalicioni me PS-në është i natyrshëm për shkak se të dyja i takojnë të majtës evropiane të cilat e kanë mbështetur shumë këtë bashkim. Rikthehemi aty nga fillimi ku marrim të gjithë përgjegjësitë dhe pasojat"- tha Meta.
NESE DILNIM VETEM NE ZGJEDHJE, MUNDESI TE HUMBNIM MANDATE
"Ishte dhe një opsion dalja më vete, që e ka bërë dhe më parë dhe rezultati i LSI-së do ishte shumë më i mirë dhe përcaktues në qeverisje, por për arsye politike dhe që kanë të bëjnë me Kodin tonë zgjedhor, ekzistonte mundësia e humbjes së disa mandateve në mënyrë të padrejtë, jo thjesht për LSI por dhe për PS e opozitë" - tha Meta.
LSI S’MUND TË RRIJË PENG I NJERËZVE TË VEGJËL
Meta shtoi se “LSI është një parti e pjekur që ka në thelb zbatimin e ligjit dhe jo thashethemet. Ajo nuk mund të rrijë kurrsesi peng e së kaluerës dhe të ngacmohet nga mistreclleqë që u takojnë njerëzve të vegjël që jo vetëm nuk kanë bërë ndonjë herë politikë por as nuk mund ta kuptojnë politikë”
Dy ditë më parë, pas mbledhjes së kryesisë, kryetari Ilir Meta lajmëroi marrëveshjen me socialistët e drejtuar nga Edi Rama në emër të një rotacioni politik në vend. Menjëherë pas vendimit, kryeministri Berisha propozoi 4 emrat e rinj që zëvendësuan ministrant e LSI në qeveri.
Redaksia online
(s.g/shqiptarja.com)