TIRANE- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është ndalur tek çështja e armëve kimike, mjaft e diskutuar gjatë ditëve të fundit. Pas një takimi me homologun e tij rumun, Meta tha se vendi ynë dëshiron të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, por duke u mbështetur tek mundësitë që ka.

Ndërsa tha se për marrjen e një vendimi lidhur sjelljen apo jo të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, “parlamenti ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehet”, por theksoi rëndësinë e vlerësimit dhe mirëkuptimit të ndjeshmërisë qytetare dhe grupeve civile lidhur me këtë çështje.

“Shqipëria gjithmonë ka treguar se është një vend që dëshiron të kontribuojë për paqen dhe për sigurinë, sepse është një vend që ka përfituar jo pak nga paqja dhe siguria për të cilën kanë kontribuar edhe aleatët tanë, por njëkohësisht duke u mbështetur gjithmonë në ato mundësi që vendi ynë ka, dhe që lejojnë marrjen e përgjegjësive dhe pa asnjë diskutim gjithmonë në mënyrën më transparente dhe kushtetuese. Parlamenti në çdo rast ka të drejtën dhe detyrimin, që të shprehet pa asnjë diskutim, por njëkohësisht duhet vlerësuar dhe mirëkuptuar edhe ndjeshmëria qytetare dhe e grupeve të shoqërisë civile”, tha Meta.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe kreu i LSI, shprehu bindjen se “çdo vendim do të merret në mënyrë transparente”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)