TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit pritet të ketë më shumë kompetenca në kontrollin e qeverisë. Kjo është paralajmëruar në një konference për rolin e auditimit dhe sfidat. Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se asnjë person nuk do të jetë i imunizuar nga pushteti, gjatë konferencës shkencore të KLSH-së “Roli i Sais për të kontribuar në sfidat aktuale të një menaxhimi të përgjegjshëm publik”.
 
Sipas kreut të parlamentit KLSH është një institucion që ka shumë rëndësi në një qeverisje transparente. Meta e cilësoi luftën ndaj korrupsionit si një sfidë që duhet fituar me patjetër.
 
“Një nga udhëzimet e progres raportit të fundit të KE-së për Shqipërinë është dhe këshilla për të forcuar rolin e KLSH-së, si institucion i kontrollit ekonomik dhe financiar duke përmirësuar kuadrin ligjor mbi të cilin ky institucion vepron.
 
Ka një sërë propozimesh të hershme që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë nga KLSH-ja për këtë qëllim, të cilët do të shqyrtohen me përgjegjshmëri, seriozitet maksimal dhe vullnetin e fortë për të konkretizuar më të mirën e tyre.
 
Kjo do të ndodhë duke respektuar traditën më të mirë lokale, eksperiencën e çmuar të partnerëve ndërkombëtarë, por dhe si një përgjigje për dinamikat e reja të vetë shoqërisë shqiptare dhe të qeverisjes së saj.
 
Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë do të nxis dialogun me të gjithë aktorët për këtë çështje. Si një hap më shumë, si një përpjekje më shumë, për t’i dhënë një mundësi më shumë KLSH-së në asistimin që ai do t’i bëjë qeverisjes së vendit.
 
Gjithashtu, besoj se bashkëpunimi ndërinstitucional është një faktor kyç dhe çelës i suksesit për forcimin e sundimit të ligjit, për rritjen e mëtejshme të transparencës dhe thellimin e mirëqeverisjes dhe sidomos, për të garantuar ndëshkimin e paligjshmërisë. Ndaj, njoh dhe përshëndes kontributin në rritje që jep KLSH-së në këtë drejtim dhe kërkoj një bashkëpunim në rritje dhe angazhim edhe më të fortë e efektiv të gjitha hallkave ligj-zbatuese dhe të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Kreu i Kuvendit Ilir Meta.
 
 
Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme punën dhe rolin e KLSH-së, duke theksuar se ky institucion është pjesë e pandarë e sfidës madhore për të garantuar akoma më shumë një qeverisje transparente e të përgjegjshme dhe për luftën kundër korrupsionit me qëllim instalimin e plotë të sundimit efektiv të ligjit në vendin tonë.
 
“Më lejoni të nënvizoj atë çfarë është thelbi i punës së institucioneve që ju drejtoni, siç është dhe i KLSH-së shqiptare: qeverisjet janë subjekt i kontrollit të shumëfishtë nëpërmjet institucioneve të tjera të pavarura, që e qortojnë dhe ndihmojnë atë për të mos gabuar. Institucioni i auditit është një nga këto instrument kontrolli.
 
Suksesi i një qeverisjeje, mbrojtja e interesit publik dhe ruajtja e burimeve publike, është i kushtëzuar dhe në varësi reciproke edhe nga suksesi shumë I rëndësishëm i këtij institucioni.
 
Askush nuk është i imunizuar nga keqpërdorimi i pushtetit. Aq më tepër dhe vetë pushteti. Ai e ka të domosdoshëm vaksinimin e sistemit për ta bërë atë më të fortë nga tundimi për shpërdorim të mirëbesimit publik.
 
Qeverisjet e kanë të domosdoshme këshillimin, kontrollin, zbulimin e paligjshmërisë, akoma më shumë ndëshkimin e tij.
 
E kanë të domosdoshëm komunikimin e hapur dhe besimin e ndërsjellët të sektorit publik me qytetarët. Kanë nevojë për informacion të besueshëm për çfarë ndodh dhe këshillim për atë që duhet të ndodh më mirë”, tha Meta.
 
Të pranishëm në këtë konferencë ishin kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, deputeti dhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, përfaqësues të Sigma, Sai, etj.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)