Meta: Mbetem i vendosur të 
respektoj marrëveshjen me PS

Meta: Mbetem i vendosur të <br />respektoj marrëveshjen me PS
LSI është e vendosur për respektimin e marrëveshjes së koalicionit qeverisës me PS-në.
 
Kryetari Ilir Meta ishte i ftuar në emisionin 5 pyetje nga Babaramo në Report TV.
 
"Ne po vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në koalicion sipas marrëveshjes së Shkodrës. Vendimi ynë për këtë koalicion ka qenë i drejtë. Janë disa arritje të rëndësishme pozitive. Janë disa reformat të rëndësishme që janë realizuar apo janë në proces por natyrisht që ka shumë vend për përmirësime dhe për t’i realizuar këto reforma me një gjithëpërfshirje më reale edhe për të ruajtur dialogun me qytetarët sepse këto reforma bëhen për ta", u shpreh Meta.
 
Për pjesëmarrjen e Ushtrisë në luftën ndaj kanabisit, Meta deklaroi se çdo institucion që mund të japë kontributin e tij, duhet të përfshihet.
 
"Unë mendoj se çdo institucion që mund të japë kontributin e tij duhet të përfshihet dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në tryezën e qeverisë dhe institucioneve", u shpreh Meta.
 
Përshëndetje, doja ta nisja bisedën nga dekreti i Presidentit i cili ka refuzuar Ligjin e Mbetjeve. Do doja qëndrimin tuaj, do votoni në favor të dekretit të Presidenti apo kundër tij?
Meta: Kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje kaq të thjeshtë pasi çështja është në komplekse dhe përveç përmbajtjes së çështjes e diskutimeve të ndryshme natyrisht që kemi edhe një shqetësim të opinionit publik deri diku dhe një instrumentalizim të tij dhe ka rëndësi që miratimi i një ligji të tillë kaq sensitiv nuk duhet të bëhet në konflikt me opinionin publik pasi kjo ka të bëjë me imazhin e vendit që ka prioritet zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e turistëve të huaj sa më shumë. Unë besoj se është e gjithë koha e mundur që të bëjmë një vlerësim sa më të ftohtë larg politizimit të tepruar të çështjes në mënyrë që në çdo rast ne të kemi në konsideratë që vendimmarrja duhet të jetë në interes të publikut të gjerë dhe afatgjatë për vendin.
 
Jeni shprehur që ky ligj duhet të kalojë në ekspertizë të BE. I qëndroni kësaj ideje?
Çështja më e rëndësishme është që të ketë konsensus e shterim të gjithë mosbesimit aktual që ekziston për zbatimin e ligjit dhe së dyti, unë i qëndroj idesë se në rast se gjatë këtij dialogu apo debati ka çështje që kërkojnë ekspertizë më të thelluar evropiane padyshim do të ishte shumë me interes që të kërkohej pasi nuk bëhet fjalë për një ligj që do ketë efekt të përkohshëm por efekt afatgjatë dhe është e mirë që të mos jetë pjesë e debateve e kontestimeve.
 
Nëse e kuptova drejt, qeveria duhet ta tërheqë dhe ta risjellë në një moment të dytë pasi të ezaurohen këto që parashtruat?
Nuk mund të jap asnjë vlerësim përfundimtar pasi ekziston një proces vlerësimi që ka nisur të bëhet mbi dekretin e Presidentit dhe në këtë rast do veproj në përputhje me linjën e grupit parlamentar të LSI dhe në këtë drejtim sipas informacioneve z.Vasili si kryetar i grupit është në dialog me të dy palët. Me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ngritur shqetësimin për çështjen dhe me shoqatën e ricikluesve që janë të interesuar për miratimin e tij me qëllim që të vijojnë punën e tyre.
 
Cili është thelbi i këtyre bisedimeve që po kryen z.Vasili?
Nuk mund të them asnjë gjë, pro kam idenë se po dëgjohen argumentet e secilës palë të interesuar. Ata kanë argumentet e tyre për të kuptuar bazën e shqetësimit dhe rrezikut të çështjeve të cituara nga shoqëria civile.
 
Pas dy ditësh do votohet, si do jetë vota juaj?
Nuk mund të them gjë për këtë çështje pasi më duhet të dëgjoj argumentet dhe të thellohem me anëtarët e grupit tonë parlamentar.
 
Mënyra sesi u soll, nga qeveria apo tre deputetë, pak a shumë është një ligj që mbështetet nga Kryeministri, mendoni se ishte rruga më e mirë e procedurës parlamentare në kohën kur të gjithë ishin përqendruar tek reforma në drejtësi?
Kjo është një çështje e diskutueshme por jo më e rëndësishmja. Çdo miratim i mundshëm duhet të mos realizohet me një konflikt me opinionin publik apo një pjesë të tij pasi çdo kontestim nuk do jetë pozitiv dhe i mirë për askënd.
 
Kjo që po ndodh në opinionin publik a ju krijon ngjashmëri me sjelljen e armëve kimike të Sirisë?
Nuk besoj se është dinia e ngjashme por ekziston një shqetësim që vjen për shkak të mungesës së kapaciteteve tona për të trajtuar mbetjet e vendit dhe së dyti që vjen nga shqetësimi i moszbatimit të drejtë të ligjit që mund të sillte përkeqësim serioz të parametrave të mjedisit në vend dhe ndjeshmëria në vend për ruajtjen e mjedisit ka ardhur duke u rritur dhe kjo është pozitive.
 
Gjatë kësaj kohe Kryeministri a ju ka kërkuar mbështetje për të kaluar këtë ligj dhe çfarë keni diskutuar?
Kohët e fundit nuk kemi pasur diskutim për këtë çështje por besoj se është në interesin e tij që çdo miratim të garantojë moskontestimin e ligjit dhe zbatimin e tij.
 
Ndërrojmë argument, të flasim për polemikat që kanë shpërthyer tek tre ministrat. Manjani hodhi idenë e futjes së ushtrisë duke e cilësuar kanabisin emergjencë kombëtare. Ky propozim u prit me polemika nga Ministri i Brendshëm dhe ajo e Mbrojtjes. Ju e konsideroni situatë emergjente luftën kundër kultivimit e trafikimit të hashashit?
Kjo është çështje mjaft serioze e cila ka krijuar probleme e shqetësime brenda e jashtë vendit dhe kjo çështje duhet të merret seriozisht dhe kërkon bashkëpunim në institucionet brenda vendit dhe them se policia, prokuroria, shërbimi informativ e gjithë strukturave të tjera. Duhet bërë shumë më tepër që në fazën e parë, parandaluese tek moslejimi i mbjelljes së kanabisit pasi fazat e tjera e bëjnë çështjen më të vështirë dhe dëmtojnë imazhin e vendit në tërësi.
 
Jeni për përfshirjen e ushtrisë?
Unë mendoj se çdo institucion që mund të japë kontributin e tij duhet të përfshihet dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në tryezën e qeverisë dhe institucioneve.
 
E besoni shifrën që, të kujton kohën e largët, 99.8% që thotë Ministria e Brendshme për lëndët narkotike të shkatërruara?
Rëndësi ka parandalimi i mbjelljes dhe ky është suksesi më i rëndësishëm që mund të kishte policia, shteti, pushteti vendor, shërbimi informativ etj pasi mbjellja e tij është investim që bëjnë grupet kriminale që përpiqen të menaxhojnë këtë fenomen por edhe viktimat e këtij trafiku që e shohin një rrugë të shpejtë për të fituar sa më shpejt. Suksesi më i rëndësishëm është parandalimi e kontrolli i territorit.
 
Po flitet për legalizimin e përdorimit të drogërave të lehta, hashashit. Ju e mbështesni?
Unë mendoj se në çdo rast ky është një fenomen i cili duhet të luftuar, nuk duhet krijuar iluzion që kjo është një rrugë me interesa apo leverdi për familjen dhe shoqërinë shqiptare pasi pasojat sociale do të jenë të rënda. Kemi filluar të shohim sinjale të qarta të asaj që mund të ndodhë nesër. Në rast se do duhet të kemi një legalizim të kanabisit për arsye të industrisë farmaceutike, atëherë mund të themi se mund të bëhet por kërkon konsensus dhe kontroll e transparencë nga shteti dhe të shihet si mundësi për rritje të të ardhurave në interes të shtetit e qytetarëve por jo për kriminelët.
 
Pra, jeni pro idesë së z.Kokëdhima që për arsye mjekësore dhe industriale kanabisi të lejohet?
Unë jam për idenë se kjo çështje kërkon zgjidhje konsensuale dhe jam i bindur që askush nuk mund të marrë një vendim pa konsensus dhe në çdo rast që mund të ketë një zgjidhje të tillë duhet të jetë i qartë se ky është një interes për qytetarët dhe jo për grupet kriminale.
 
Duke mbetur tek trafiku i drogës që është bërë shqetësim i shtypit perëndimor, po në takimet që keni pasur me homologë e politikanë perëndimor, a iu është shprehur shqetësim për kanabisin dhe drogërat e tjera që vijnë nga Shqipëria?
Padyshim që është një çështje që klasifikohet si pjesë e krimit të organizuar, është shqetësim për vendet kryesore partnere por edhe që ndajnë kufirin me ne si Italia e Greqia por është shqetësim edhe përtej këtyre vendeve dhe shumë media ndërkombëtare tregojnë se është një shqetësim që duhet adresuar dhe parandaluar që në momentin e parë. Më pas do të jetë shumë e vështirë për ta luftuar dhe çdo luftë më pas është një përkeqësim i imazhit të vendit sepse evidenton akoma më tej ekzistencën e këtij fenomeni.
 
Opozita në rastin më të mirë thotë se mbjellja e hashashit është toleruar nga policia dhe shton se kjo është bërë me pëlqimin e Ministrit të Brendshëm e Kryeministrit?
Është normale që opozita të akuzojë por ka rëndësi të kujtohet se opozita ka pasur përgjegjësinë e vet në këtë çështje edhe përpara vitit 2013. Duhet të kuptojmë që kjo çështje duhet të na çojë drejt një konsensusi për t'i dhënë një përgjigje të qartë, të plotë e përfundimtare.
 
A i keni shitur interesat e Çamërisë në takimet tuaja që patët në Athinë?
Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e folklorit lidhur me këtë që çështje që e konsideroj mjaft të rëndësishme dhe serioze. Çështje e cila e meriton një zgjidhje dhe që mund ta ketë zgjidhjen vetëm përmes dialogut dhe mirëkuptimit me Greqinë, sepse unë personalisht nuk shoh asnjë zgjidhje duke shmangur dialogun me Greqinë. Nëse dikush tjetër ka një zgjidhje të njëanshme duhet të na e thotë dhe në rast se vlerësojmë se është zgjidhja e duhur nuk kemi asnjë arsye pse të mos e mbështesim. Bindja ime e plotë është që kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes dialogut dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë. Kjo është një plagë që ka ndodhur në të kaluarën, kjo është një plagë që nuk është mbyllur, kjo është një plagë që duhet shëruar, dhe mund të shërohet vetëm më një dialog të mençur dhe të kujdesshëm. Qëndrimet e mia ka qenë publike edhe në gazetën Kathimerini që është gazeta më serioze e shtypit grek qëndrimet kanë qenë mjaft të qarta edhe për çështjen çame dhe për ligjin e luftës edhe për çështje të tjera të së kaluarës.
 
Kathimerini thotë se pas PDIU fshihet Erdogan, si mendoni ju?
Nuk merrem me komentet e gazetës por merrem me qëndrimet e mia të dhënë për këtë gazetë.
 
Në media është diskutuar se pas diskutimeve tuaja me Tsipras është rënë dakord të hiqet ligji i luftës me kusht që në Tiranë të mos ketë brohorima fitoresh?
Ajo që mund të konfirmoj është se ishte një vizitë në kuadër të shkëmbimit më të lartë në nivel parlamentar, nuk ka qenë një vizitë që ka marrë përsipër të diskutojë apo të zgjidhë çështje të caktuara sepse i takojnë diplomacisë apo ekzekutivit, por padyshim është hapur edhe kjo çështje nga ana ime dhe mund tu them se nuk shoh një partnere më të disponueshme për të zgjidhur çështje të së kaluarës se sa qeveria aktuale pasi mendoj se qeveritë e tjera që do të vijnë në Greqi do të jenë më të vështira për të diskutuar çështje të tjera. Prandaj duhet të mendojmë me shumë kujdes e mirëbesim në trajtimin e këtyre çështjeve.
 
Thatë që kjo qeveri është më pozitive në qasjen ndaj shqiptarëve, çfarë ka ndryshe?
Mund ata shohim edhe për çështjen ndaj emigrantëve. Është një qeveri shume më e hapur, gati për tu dhënë shtetësinë fëmijëve të emigrantëve që lindin atje por edhe për të zgjidhur shumë probleme praktike e burokratike që ata kanë.
 
Thatë që duhet zgjidhur çështja çame, por si?
Unë e mendoj në radhë të parë tek mirëbesimi midis palëve. Mendoj se kjo është thelbësore dhe kuptohet që çdo zgjidhje duhet të vijë si rezultat i një garancie se nuk do të ketë një tejkalim të së drejtës dhe jo vetëm kaq por, mjaft e rëndësishme është të kuptojmë njëkohësisht edhe qëndrimin e palëve. Jo vetëm të kuptojmë qëndrimin palës sonë dhe argumentet tona por edhe mundësitë e pamundësitë e palës tjetër për të trajtuar çdo çështje të së kaluarës në mënyrën më të mirë. Ndaj unë them se ka shumë rëndësi klima, ka shumë rëndësi një marrëveshjeje kuadër për këto çështje e cila është e pranueshme dhe është në përputhje me ligjet ndërkombëtare ku të dy vendet bëjnë pjesë. Për mua thelbësore është shfuqizimi formal i ligjit të luftës që hap rrugën edhe për zgjidhje të tjera që janë element të rëndësishme të çështjes çame.
 
Çfarë kuptuat nga takimet që patët në nivelet më të larta në Athinë, do ta heqin ligjin e luftës, çfarë ju premtuan?
 
Nuk mund të them asgjë por padyshim që mendoj se ka një disponim pozitiv për të ecur drejt zgjidhjes së çështjeve të së kaluarës por kjo do të varet nga vetë dinamika e marrëdhënies prandaj unë vetë kam apeluar për të rritur frymën e mirëbesimit midis palëve dhe jo për t’i fryrë frymës së mosbesimit, pasi në Greqi përveç qeverisë kemi edhe opozitës e opinionin publik dhe natyrisht që çdo vendim që qeveria do të marrë do të ketë parasysh edhe këto faktorë. Mjafton që vetëm fare pak shkëndija të duken në horizont për të frenuar vendime të rëndësishme dhe të mëdha.
 
Kanë dëshirë për të hequr ligjin e luftës dhe nuk kanë vota në parlament?
Mund të them që kanë dëshirë për t’i dhënë një zgjidhje sa më të drejtë problemeve të së kaluarës.
 
U duk se vizita juaj e qetësoi fqinjin jugor por 3,4 ditë pasi u kthyet patëm një diskutim force nga ministri i jashtëm grek, si e gjykoni këtë apo ishte përgjigje ndaj deklaratave të Ramës dhe Bushatit?
Deklaratat e tij për mua janë të panatyrshme duke pasur në konsideratë profilin e tij si intelektual, si profesor, si ekspert i ligjit dhe të drejtave të njeriut por dhe duke parë vullnetin e tij pozitiv në tërësi për përmirësimin e marrëdhënieve por edhe nga takimi që pata me të por edhe nga kilma në Greqi kam vënë re se edhe ai vetë ka qenë në një pozicion të vështirë pas deklaratave te komisionerit Hahn. Ai ka qenë i akuzuar nga opozita edhe nga shtypi dhe opinioni publik sikur nuk i ka mbrojtur si duhet interesat e vendit të tij ndaj mendoj se ka qenë më tepër një intervistë për opinionin publik atje sesa një mesazh për Shqipërinë. Për më tepër që ka qenë një intervistë komplekse që prekte marrëdhëniet e vendit me të gjithë fqinjët që Greqia dukshëm ka marrëdhënie të vështira me Maqedoninë dhe Turqinë. Nuk është baza e qëndrimit tonë një reagim i momentit e rëndësishme është të trajtojmë me mençuri të gjitha çështjet duke përfshirë edhe atë çame pasi edhe ky komunitet është i interesuar për zgjidhje, jo për retorikë.
 
Deklaratën e komisionerit Hahn e shikoni si diçka rastësore personale apo një ndryshim qëndrimi të BE dhe sa ndikon ajo në vijim?
Unë nuk mund të flas në emër të BE por mund të them se këtë deklaratë e kam parë si një tregues të vullnetit pozitiv të komisionerit Hahn edhe si përfaqësues i BE për të nxitur zgjidhjen me dialog të çështjeve të së kaluarës përfshirë edhe çështjen çame midis Shqipërisë edhe Greqisë. Në çdo rast kjo deklaratë është pozitive por zgjidhja do të vijë nga një dialog mes dy vendeve dhe për këtë duhet punuar pa u lodhur.
 
Idrizi është shprehur se nuk do të lejojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek në luginën e Vjosës nëse nuk ndërtohet një memorial për ata që janë viktima të genocidit të shpërnguljes së çamëve gjatë L.II.B, ju mendoni se duhet të veprojnë sipas reciprocitetit apo të kemi frikë nga vetoja e mundshme e Greqisë ne raport me proceset e integrimit?
Mendoj se duhet të investojmë për të rritur mirëbesimin midis dy qeverive, dy vendeve, dy popujve sepse më e rëndësishme për ne është të çojmë në vend të gjithë ato padrejtësi që vijnë nga e kaluara, të rivendosim në vend të drejtat e shqiptarëve të larguar nga Greqia dhe për këtë na duhet një klimë sa më e mirë sa më pozitive sa më mirëbesuese.
 
A gaboi Rama në Beograd dhe në Nish?
Nuk ka qenë shumë i vëmendshëm sepse kjo vizitë pak a shumë ka ndodhur në të njëjtën kohë me vizitën time në Greqi. Megjithatë mendoj se raportet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë mëse normale ashtu sikurse është e rëndësishme të kemi një koordinim të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës sidomos përsa i takon çështjeve të cilat kanë të bëjnë me dialogun Serbi-Kosovë pasi ne jemi shumë të interesuar që ky dialog të vijojë. Nëse ka polemika është e pamundur të evitohen duke pasur në konsideratë që ende këto raporte shikohen me sy të ndryshëm me faktorë të ndryshe. Është e rëndësishme që të ketë dialog mes Shqipërisë dhe Serbisë ashtu edhe mes Kosovës dhe Serbisë. Në çdo rast dialogu Shqipëri-Kosovë më duket më i thjeshtë.
 
Nishani tha që axhendën shqiptaro-serbe duhet ta përcaktojë Prishtina, ju ndani të njëjtin shqetësim të tij, a u anashkalua Kosova dhe lidershipi i saj?
Besoj se raportet Shqipëri-Serbi janë raportet mes dy vendeve të rëndësishme për stabilitetin e rajonit e perspektivën e tij europiane. Natyrisht këto raporte kushtëzohen nga raportet e Serbisë me Kosovën por nuk janë marrëdhënie të kushtëzuara vetëm nga kjo çështje, Shqipëria dhe Serbia kanë angazhimet e tyre në shumë aspekte të bashkëpunimit rajonal edhe si kushte për integrimin europain të të dyja vendeve, kështu që besoj se ka vend për një bashkëpunim akoma më aktiv mes Shqipërisë dhe Serbisë ashtu sikur ka vend për dialog mes Shqipërisë dhe Kosovës për të mos lejuar keqkuptime të krijuar nga mediat që reflektojnë qëndrimin e faktorëve të ndryshëm.
 
Çfarë përshtypje ju krijoi mbledhja e ministrave të qeverisë në Gjirokastër pa ata të LSI?
Nuk kam asnjë lloj përshtypjeje dhe informacioni por mund të ketë mbledhje nuk ka asnjë problem. Ajo nuk është mbledhje qeverie është një mbledhje informale.
 
Në çfarë niveli janë marrëdhëniet tuaja Partinë Socialiste?
Mendoj që janë marrëdhënie normale bashkëpunimi.
 
Kur rivalët tuaj për postin e LSI kanë terma shumë të ashpër për PS DHE Ramën, çfarë ndjesie keni?
Është e drejtë e tyre, konkurrim i tyre, platformë e tyre që në fund fare do të votohet më 6 nëntor.
 
Ndani të njëjtin shqetësim me ta?
Ndaj një filozofi pak në ndryshe që bazohet tek qëndrueshmëria ndaj marrëveshjeve qoftë në mënyrë të njëanshme edhe tek vendosmëria për t’iu qëndruar marrëveshjeve qoftë edhe në mënyrë të njëanshme.
 
Kur thoni të njëanshme doni të thotë që pala tjetër e kësaj marrëveshjeje është duke e prishur këtë marrëveshje?
Nuk thashë këtë gjë unë thashë qëndrimin tim. Pra e mirëkuptoj padurimin e cilitdo në LSI për një arsye apo për një tjetër por kjo nuk më çon në reagime të nxituara.
 
Mendoni se ka ardhur koha për të marrë një vendim se çfarë do të bëni me koalicionin, do ta përsërisni këtë kontratë?
Ne po vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në koalicion sipas marrëveshjes së Shkodrës.
 
Afrimin e PDIU në këtë koalicion e shikoni si kërkesë të Ramës për t’iu shmangur nga bashkëqeverisja?
Ne nuk kemi asnjë shqetësim të tillë, përkundrazi LSI ka një rol të qartë në të ardhmen, ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme qeverisëse ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri. LSI në çdo rast do të jetë një forcë që do të ketë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen në jetën politike të vendit dhe kjo besoj se është më e rëndësishme për LSI.
 
Keni 3 mundësi për koalicione, të qëndroni ku jeni, të ktheheni te koalicioni me PD dhe koalicioni i një poli të tretë, cilin do zgjidhni?
LSI do të marrë vendimin më të drejtë në kohën e duhur. Ky nuk është një vendim që mund ta marr sot që jam më shumë një kandidat për kryetar sesa kryetar i LSI. Do të jetë vendim i forumeve të kësaj force dhe besoj që do të jetë vendimi më i drejtë. Të shohim rezultatin e zgjedhjeve të 6 nëntorit në LSI.
 
Po kalon viti i tretë, keni një bilanc qoftë edhe provizor të këtij koalicioni, keni bërë mirë që keni hyrë apo keni gabuar?
Vendimi ynë për këtë koalicion ka qenë i drejtë. Janë disa arritje të rëndësishme pozitive. Janë disa reformat të rëndësishme që janë realizuar apo janë në proces por natyrisht që ka shumë vend për përmirësime dhe për t’i realizuar këto reforma me një gjithëpërfshirje më reale edhe për të ruajtur dialogun me qytetarët sepse këto reforma bëhen për ta.
 
Çfarë duhet përmirësuar?
Klima e biznesit mendoj se ka akoma vend për të përmirësuar. Mendoj që duhet të kemi në konsideratë se pa tërhequr investime te huaja edhe pa qenë më konkurrues deri tani qoftë edhe me vendet e rajonit do ta kemi të vështirë të krijojmë më shumë vende pune më cilësore, më të paguara.
 
Marrëdhëniet tuaja me Ramën janë ashtu siç i mendonit në 1 prillin e 2013-ës apo janë larg së qeni siç e parashikonit?
Nga vizita ime në Kinë më ka mbetur në mendje mesazhi i vajzës së Ten Cio Pin të cilën pata mundësinë ta takoja pasi me insistimin tim këtu në Shqipëri është botuar libri i saj për Ten Ciao Pin gjatë Revolucionit Kulturor dhe është botuar pa dhënë ajo një konfirmimin për të drejtën e autorit në pamundësi komunikimi. Pata mundësi t’ia jepja librin në shqip dhe ajo më tha një gjë të rëndësishme. Ajo më tha që babi im mendonte: "E ardhmja e një vendi duhet të varet sa më pak nga një njeri ose nga pak njerëz”. Pra e ardhmja e një vendi duhet të varet nga një sistem i konsoliduar që prodhon garanci afatgjata për shoqërinë. Besoj se kjo është një përgjigje për këdo që mendon se ardhmja e një vendi duhet të varet nga raportet personale të dy kryetarëve apo tre. Është e rëndësishme që marrëdhëniet LSI-PS në të ardhmen si dy forcat kryesore të koalicionit aktual, të jenë institucionale.

 [gallery]19300[/gallery]
 
Redaksia Online
(F.T/Al.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Mori 50 mijë lekë që të ndërhynte tek prokurori dhe gjyqtari për të mos dënuar një person, oficeri gjyqësor  dënohet me 3 vite burg

Mori 50 mijë lekë që të ndërhynte tek prokurori dhe gjyqtari për të mos dënuar një person, oficeri gjyqësor dënohet me 3 vite burg