Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thirrur në një mbledhje në Presidencë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Burime për Report Tv pranë Presidencës thanë se mbledhja ka qenë e planifikuar dy javë më parë dhe nuk ka lidhje me zhvillimet e fundit politike. 

Në mbledhje kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe krerët e institucioneve të lidhur me sigurinë e vendit si drejtori i SHISH, SHIU-t dhe Policisë së Shtetit. Report Tv mësoi se mbledhja është kërkuar nga kreu i shtetit Ilir Meta i cili kryeson mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndërsa presidenca përmes një njoftimi për shtyp sqaroi fokusin e kësaj mbledhje ku në fokus ishin prioritetet e sigurisë. "Presidenti theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Çështjet e diskutuara ishin: Gjendja e sigurisë kombëtare dhe direktiva vjetore e sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile; siguria e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtja kibernetike.

Për gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018 informoi Kryeministri,  Edi Rama.

Për çështjet e tjera informuan anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve. Gjithashtu Presidenti shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Po kështu, raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, nënvizoi Presidenti i Republikës, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian

Njoftimi i Presidencës për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë


Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë marrin pjesë:

Presidenti - Ilir Meta

Kryeministri - Edi Rama

Kryeparlamentari - Gramoz Ruçi

Kreu i SHISH - Helidon Bendo

Kryeprokurori - Arta Marku 

Kryetari i komisionit të Sigurisë - Ulsi Manja 

Ministri i Brendshëm - Fatmir Xhafaj

Ministri i Drejtësisë - Etilda Gjonaj 

Ministrja e Mbrojtjes - Olta Xhaçka 

Ministri i Ekonomisë dhe Financave - Arben Ahmetaj

Ministri i Energjetikës - Damian Gjiknuri

Ministri i Jashtem - Ditmir Bushati