TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pritur sot Ambasadorin e Maqedonisë në Shqipëri, Stojan Karajanov. Gjatë takimit, ambasadori Karajanov i ka përcjellë Metës letrën e urimit të Kryetarit të Asamblesë së Maqedonisë, Trajko Veljanoski me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu gatishmërinë e tij për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në të gjitha nivelet, veçanërisht në drejtim të marrëdhënieve ndër-parlamentare.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Karajanov biseduan gjithashtu mbi thellimin e shkëmbimeve parlamentare dhe të ekspertizës ligjore, me fokus të veçantë në procesin e integrimit evropian të të dy vendeve dhe në drejtim të thithjes së investimeve të huaja.

Meta gjithashtu u shpreh se Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, dhe ndau bindjen se shqiptarët janë një kontribut për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Maqedonisë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)