TIRANE- Presidenti Ilir Meta vazhdon të hedhë akuza kundër mazhorancës pas miratimit të paketës ANTI-KÇK, që kreu i shtetit ka zgjedhur ta quajë KRYE-KÇK.  Meta e cilëson grusht shteti miratimin e kësaj paketë, që sipas tij synon të shndërrojë Gjykatën Kushtetuese në polici të shtetit të PPP.

Meta shprehet se pas miratimit në pabesi të kësaj pakete nuk kanë më vlerë thirrjet "Ndiq paratë", pasi sipas tij, çdo gjë është e përqëndruar në një shtet ku nuk ekzistojnë ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare.

“Në shtetin e PPP (Polici Parti Propagandë) nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu. Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit.

Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet "Ndiq paratë" se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP”, shkruan presidenti.