STRASBURG - Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian se, Shqipëria gjatë këtyre muajve ka bërë hapa para dhe është punuar për të përmbushur prioritetet që BE-ja i ka lënë Shqipërisë për ecjen drejt integrimit. Kryeparlamentari Meta tha se, edhe Kuvendi është duke bërë një punë shumë të mirë në bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës.
 
“Miratimi i rezolutës për integrimin e Shqipërisë në Be, ishte një sinjal i mirë për rrugën e Shqipërisë. Jam i bindur se, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe do të bëjë hapa më të mëdhej për integrimin në BE. Kemi votuar në unanimitet tre ligjet. Zgjedhjet e 23 qershorit ishin të lira dhe të ndershme. Edhe tranzicioni ishte mjaft i qetë”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i Kuvendit Meta, në Komisionin e Jashtëm të PE.
 
Sipas tij, “konstituimi i Kuvendit është bërë në mënyrën më të mirë. Parlamenti po funksionon me pjesëmarrjen më të plotë. Opozita ka hapësira të mëdha dhe drejton shumë komisione parlamentare”.
 
BASHKËPUNIMI MAZHORANCË-OPOZITË DO VAZHDOJË
Gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka theksuar edhe faktin e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Meta tha se, opozitës i janë dhënë shumë hapësira.
 
“Jam i bindur se gjatë këtyre 3 muajve kemi parë një bashkëpunim më të mirë të mazhorancës dhe opozitës. Edhe opozita ka dhënë një kountribut të madh. Bashkëpunimi është i dukshëm dhe stabël. Ka edhe një bashkëpunim mes parlamentit dhe Presidentit të Republikës. Kemi krijuar edhe një situatë të mirë të Kuvendit për përfaqësimin e grave. Kemi bërë një punë të mirë edhe për rekomandimet që kanë mbetura”, deklaroi Meta gjatë fjalës së tij.
 
Sipas kreut të Kuvendit, “gjatë këtij sesioni do të punojmë fort për të mbajtur të njëjtën perfomancë. Jemi të bindur që duhen reforma në drejtësi dhe në administrimin e territorit.
Koordinimi me institucionet e tjera të rëndësishme dhe të pavarura do ta ndihmojë në rrugën drejt BE. Garantimi i të drejtave të njeriut”.
 
LUFTË NDAJ KORRUPSIONIT DHE BASHKËPUNIM MES INSTITUCIONEVE
“Dua t’ju siguroj se qeveria shqiptare është e gatshme që ti përshpejtojë reformat në mënyrë që vendet e BE-së të binden se Shqipëria e meriton. Kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi një strategji të re dhe kemi bërë edhe një luftë në terren me konfiskime në terren. Ministri i Drejtësisë ka ndërmarrë një aksion me disa gjykatës që kanë bërë shkelje të rënda”, tha Meta, duke shpjeguar luftën ndaj korrupsionit që ka nisur në Shqipëri.
 
Sipas kreu të Kuvendit, Ilir Meta, “ka një bashkëpunim mes, Prokurorisë, Ministrisë së Brendshme dhe SHISH në luftën ndaj krimit. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare është i madh. Javën që vjen do të ketë një marrëveshje me INTERPOL dhe EUROPOL për luftën ndaj krimit”.
 
“Jeta parlamentare e institucioneve ka bërë hapa përpara. Pavarësisht vendimit  që do merret ne jemi të vendosur për ti vazhduar reformat, pasi këto reforma nuk janë vetëm për BE, por janë për popullin tonë”, përfundoi fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, përpara parlamentarëve të Komisionit të Jashtëm në Parlamentit Europian.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)