TIRANË – Edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur sot drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore në vazhdën e takimeve, që Moore ka zhvilluar sot me presidentin Nishani dhe ministrin e Jashtëm Bushati, ku ende mungon takimi me kryeministrin Rama.

Siç bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit, Meta dhe Moore kanë biseduar mbi bashkëpunimin dypalësh, ecurinë e procesit të integrimit evropian dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. 

Meta dhe Moore ndanë bindjen se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë këtij viti duke vlerësuar njëkohësisht progres raportin e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive të tij. 

Moore shprehu mbështetjen e SHBA në procesin e integrimit evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra. 

Meta shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen konstante të SHBA ndaj Shqipërisë si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian. Në këtë kuadër, Meta dhe Moore theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe forcimit të ligjit. 

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Moore diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, ku u evidentua roli konstruktiv i Shqipërisë dhe u nënvizua se perspektiva e Bashkimit Evropian është garancia e forcimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)