BERAT - “Politika humb kohë me konflikte të padenja dhe të shkuara”. Kështu ka deklaruar nga Berati, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një takimi me Lëvizjen e Gruas për Integrim.

Meta tha se LSI do të vazhdojë t’i japë prioritet punësimit, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë mund të zbehet varfëria në vend.

"Ne dhe aleancën më të rëndësishme edhe për 23 qershorin gjykojmë aleancën me të gjithë sipërmarrësit dhe sipërmarrëset e Shqipërisë që synojnë të hapin vende të reja pune sepse rritja e punësimit është lufta më e sigurt që ne i bëjmë varfërisë, është përpjekja më e sigurt që ne të realizojmë për të fuqizuar gruan shqiptare, vajzën shqiptare, familjen shqiptare dhe ne jemi të vendosur për të ecur në këtë drejtim”.

Metai deklaroi se politika "për fat të keq humbet shumë kohë me konflikte tërësisht të padenja të cilat nuk mund ta përmirësojnë jetën tuaj dhe të gjithë qytetarëve tanë. “Ndërkohë që është mjaft e rëndësishme që politika debatin ta përqendrojë tek ekonomia, ta përqendrojë tek punësimi dhe jo tek e kaluara, sepse me atë le të merren historianët. Po edhe tek beteja për të kaluarën prapë Berati në rregull del se shumica e nënshkruesve të aktit të Pavarësisë janë nga qarku i Beratit. Besoj se e dini të gjithë ju këtë. Por ne duam të ecim më shpejt ndaj dhe i gjithë përqendrimi ynë është tek e ardhmja. Është tek iniciativat për të hapur vende të reja pune. Ndaj dhe programi i LGI-së është i përqendruar këtu dhe gëzon mbështetjen tonë të plotë”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Meta deklaroi se LSI do të kontribuojë që Berati të jetë në qendër të vëmendjes dhe të ketë infrastrukturë më të mirë.

Në këtë aktivitet, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ishte i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, si dhe nga deputeti i LSI-së për Qarkun Berat, Nasip Naço.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)