Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një takimi në Kavajë me simpizantë të kësaj partie, ka komentuar për zgjedhjet e 23 qershorit dhe për aleancës parazgjedhore me Partinë Socialiste.

Meta tha se koalicioni PS - LSI është më i madhi në histori dhe përfshinë të gjitha interesat e popullit shqiptar. Kryetari i LSI theksoi faktin se rotacioni është i pashmangshëm dhe i nevojshëm. Qeveria Berisha i ka ditët e numëruara.

“Edhe 60 ditë na ndajnë nga ndryshimi. Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një balancë të re pushtetesh, ka nevojë për një realizëm shumë më të madh për të përballuar problemet e mëdha ekonomike, financiare dhe sociale.

Ka të bëjë me garantimin e një të ardhmeje të sigurt evropiane të vendit tonë. Një e ardhme, e cila ka qenë e cenuar nga zvarritja dhe nga stanjacioni që ka përjetuar procesi i integrimit evropian, ku siç vihet re nga dita në ditë një burim i madh i këtij ngërçi ka qenë dhe mbetet përqendrimi i pushteteve në duart e një force politike të vetme.

Pra rotacioni është bërë i domosdoshëm, është bërë i paevitueshëm dhe është tashmë një emergjencë të cilën do ta zgjidhim të gjithë së bashku me votën e 23 qershor”, tha z. Meta.
Duke folur për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky koalicion është më i madhi në historinë e vendit dhe është një koalicion gjithëpërfshirës.

Sipas tij është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Ky koalicion është më i madhi në histori, është një koalicion gjithëpërfshirës, jo thjesht për të garantuar fitoren, sepse fitorja është e sigurt, por se edhe fryma e bashkëpunimit nuk duhet të jetë thjesht në kornizën PS-LSI, por te të gjitha forcat që duan të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.

Mendoj se domosdoshmëria e këtij koalicioni vjen nga interesi i brendshëm dhe nga një domosdoshmëri që vendi të kalojë në një fazë më të lartë, të një stabiliteti më solid, por edhe të një perspektive më të shpejtë evropiane. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët, jam i bindur që do të sjellin një ritëm të ri në reformimin e vendit, institucioneve, të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, me qëllim integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian", tha lideri i LSI-së Ilir Meta

Meta e ka cilësuar aleancën me Partinë Socialiste si zgjidhja e vetme dhe më e mirë për shqiptarët.

(v.gj/shqiptarja.com)