Ish-presidenti Ilir Meta në seancën në GJKKO ka kërkuar transmetimin live të seancës në media si dhe daljen nga kafazi i qelqtë. Këto kërkesa atij i janë rrëzuar nga trupa gjykuese.
Një tjetër kërkesë që Meta i ka drejtuar gjykatës është vënia në dispozicion e materialeve hetimore pasi ai nuk mund të ketë akses në USB-në që i është dorëzuar nga qelia e paraburgimit.
Meta: Do të ishte e nevojshme që ta rivlerësonit çështjen e medias. Për kafazin nuk ndryshon shumë gjë. Kërkojmë të përqendrohemi te thelbi i akuzave, në mënyrë që të kemi mundësinë t’u përgjigjemi pretendimeve të prokurorëve.
Kam edhe një kërkesë procedurale. Na janë dhënë fashikujt e hetimit, por pa procesverbal. Avokatit i është dorëzuar materiali në USB, por aty ku ndodhemi nuk mund të përdoret USB-ja. Jua kam thënë edhe gjatë gjykimit paraprak se është provuar që pala akuzuese ka fshehur dëshmi dhe fakte që nuk janë në interes të akuzës. Por prokuroria duhet të jetë objektive dhe të konsiderojë edhe faktet e tjera.
Ka akuza që implikojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pasi flitet për lobim të paligjshëm. Në këtë çështje janë të përfshirë edhe personalitete të politikës amerikane. Prokuroria nuk është treguar korrekte me ne, edhe pse unë jam treguar shumë korrekt me të. Më 7 janar u thirra në SPAK dhe u pyeta sërish për një akuzë që ndërkohë kishte rënë. Nuk më është dhënë e drejta të mbrohem me fakte. Shqetësimi kryesor është tendenca e provuar për të fshehur faktet apo provat që nuk janë në interes të akuzës.
Lajmi kryesor:
Mbahet gjyqi i Ilir Metës, GJKKO nuk lejon transmetimin live! Pranohet kërkesa për t'u vënë në dispozicion provat, edhe ato dixhitale











