Meta në IPU: Me hartën e re, më
efikase lufta ndaj dhunës së grave

GJENEVE - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në punimet e Sesionit të 131 të Unionit Ndër-Parlamentar që po zhvillohet këtë javë në Gjenevë, në krye të delegacionit të përhershëm parlamentar shqiptar.

Kryetari i Kuvendit shoqërohej prej deputetëve Arta Dade, Kryetare e Komisionit të Jashtëm dhe Shpëtim Idrizi, anëtar i Delegacionit të Përhershëm pranë IPU. Gjatë këtij sesioni ku merrnin pjesë Kryetarë dhe delegacione parlamentare nga e gjithë bota debati i Përgjithshëm u përqëndrua në çështjen e arritjes së barazisë gjinore dhe dhënien fund dhunës ndaj grave.

Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u ftua të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Në fjalën e tij kreu i Kivendit, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore në shoqërinë e një vendi, bëri të ditur masat që qeveria shqiptare ka marrë në luftën kundër dhunës ndaj grave. Në mesin e tyre Meta nënvizoi ndarjen e re territoriale, pasi sipas Metës Shqipëria do të ketë autoritete lokale më efikase, duke rritur kështu cilësinë e shërbimeve që u ofrohet qytetarëve. 

Dhe kjo për kryeparlamentarin vjen pasi lufta ndaj dhuna ndaj grave është më efikase në nivel lokal. 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

“Ndërsa jemi mbledhur rreth një platforme ndërkombëtare shumë prestigjioze, besoj se barazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë çështje që duhen trajtuar në nivel lokal. Një nga reformat e mëdha historike që kemi kaluar këtë vit në Kuvend është “Reforma Territoriale dhe Administrative”, përmes së cilës kemi në plan të reduktojmë në mënyrë drastike numrin shumë të madh dhe të panevojshëm të autoriteteve lokale. Këtë e kemi bërë me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë me një qëllim kryesor: për të rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimeve që autoritetet lokale i ofrojnë qytetarëve tanë. Dhuna ndaj grave është një nga ato shqetësime që do të trajtohen në mënyrë më efektive me konfigurimin e ri të vendit, pasi presim të ketë një funksionim më të mirë të mekanizmave lokalë të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit. Më lejoni që të shpreh këtu mirënjohjen tonë të veçantë për të gjitha organizatat ndërkombëtare që punojnë në vend, veçanërisht për PNUD-in dhe OSBE-në.” theksoi Ilir Meta

meta ipu


Meta: Statusi na shton përgjegjësitë
Ilir Meta u shpreh se me marrjen e statusit të vendit kandidat tashmë përgjegjësitë e Shqipërisë janë trefishuar, dhe në këtë kontekst, edhe masat e marra për barazinë gjinore dhe integrimin e grave në jetën shoqërore dhe politike të vendit gjithashtu janë shtuar.

“Natyrisht, Kuvendi i Shqipërisë vazhdon të punojë në mënyrë proaktive për të përmirësuar dhe përditësuar të gjithë kuadrin tonë ligjor në përputhje me Acquis Communautaire, ndërkohë që ecim përpara në rrugën tonë të integrimit evropian. Tashmë si vend kandidat për anëtarësim në BE, mendojmë se këtë vit përgjegjësitë tona janë trefishuar. Më konkretisht, Shqipëria ka miratuar ligjin për “Barazinë Gjinore në Shoqëri”, që pasqyron përcaktimet bashkëkohore të elementëve të barazisë gjinore, si dhe ligjin për “Masat kundër Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”. Për më tepër, së fundmi është ndryshuar Kodi Penal për të adresuar më mirë sfidat aktuale që kanë të bëjnë me dhunën gjinore dhe dhunën në familje. Me hyrjen në fuqi të amendamenteve, kemi vërejtur një rritje inkurajuese të rasteve të raportuara dhe të ndjekjeve penale, përveç urdhrave të mbrojtjes civile. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur të inkurajojë integrimin gjinor në të gjitha fushat e politikave dhe veçanërisht në çdo projektligj të ri që diskutojmë apo miratojmë.” u shpreh Kreu i Kuvendit

meta ipu

Meta: Ja masat e marra nga qeveria për luftën ndaj dhunës gjinore
Duke folur konkretisht për masat e marra në këtë kontekt, Meta nënvizoi ngritjen e sistemit të ri online të ndjekjes të të gjitha rasteve të dhunës në familje.

Një tjetër masë e qeverisë shqiptare është edhe siguria sociale për personat viktimë të dhunës në familje. Gjithashtu Meta tha se edhe linja telefonike, ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e dhnuës gjinore apo familjare.

"Tashmë, disa muaj pas krijimit të kësaj baze të dhënash kombëtare online për rastet e dhunës në familje, është rritur ndjeshëm ndjenja e përgjegjësisë ndërmjet autoriteteve të ndryshme publike, gjë që ka përmirësuar reagimin e tyre ndaj nevojave të të mbijetuarve. Kjo bazë të dhënash elektronike, me informacion të bollshëm, i gatshëm në kohë reale, ka mundësuar gjithashtu që Kuvendi të luajë më mirë rolin e tij mbikëqyrës dhe të mundësojë dhënien e llogarisë të qeverisjes qendrore dhe lokale. Më e rëndësishmja, përhapja e mekanizmave të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit në të gjithë vendin po vërteton se kjo strategji ndërhyrjeje mund të japë rezultate të rëndësishme të prekshme.Veç kësaj, ne tashmë ofrojmë një rrjet të sigurisë sociale për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në familje, përmes asistencës financiare dhe mbulimit shëndetësor falas. Kuvendi do t’i ofrojë Qeverisë mbështetjen e saj të plotë për vendosjen e një linje telefonike kombëtare, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e dhunës gjinore dhe të dhunës në familje dhe të kërkojnë ndihmë në çdo orë të ditës dhe të natës." tha Meta

Meta: Jo vetëm masa, edhe angazhim politik për ndërgjegjësim të publikut
Megjithatë sipas Metës, krahas nismave të qeverisë, nevojitet edhe një angazhim politik për një ndryshim tërësor në sistemin e vlerave, dhe ndërgjegjësim të popullsisë.

Meta tha se falë këtij ndërgjegjësimi edhe reagimi publik ndaj rasteve të dhunës në familje është përmirësuar ndjeshëm.

"Por, aksioni politik do të jetë i pavlefshëm nëse nuk ka një angazhim publik dhe një ndryshim tërësor në sistemin e vlerave ku ne bëjmë pjesë dhe unë besoj se është përgjegjësia jonë si politikanë të nxisim klimën e nevojshme për të forcuar një angazhim të tillë. Veçanërisht në dy vitet e fundit, Kuvendi, Qeveria, por dhe shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare kanë mbështetur një evolucion në fushatat për ndërgjegjësimin publik, duke i parë burrat dhe djemtë jo thjeshtë si pjesë të problemit, por edhe si pjesë të zgjidhjes, si partnerë të grave dhe vajzave për të sfiduar stereotipet gjinore, si dhe për të luftuar dhunën gjinore dhe atë në familje. Ndërkohë që reagimi publik ndaj rasteve të dhunës gjinore është përmirësuar dukshëm gjatë viteve, kemi parë që gratë janë shumë më të hapura për të thyer heshtjen e tyre dhe për të raportuar rastet e tyre. Si rezultat, vërejmë një tendencë në rritje të rasteve të raportimit tek agjencitë ligjzbatuese, por dhe tek aktorë të tjerë jo-qeveritarë, të tilla si shoqëria civile dhe media. Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë beson fort se aksioni politik duhet të ndodhë njëkohësisht me aktivizimin shoqëror dhe pjesëmarrjen qytetare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut. Ka qenë angazhimi i koalicionit tonë të ri qeverisës që fushatat për barazi gjinore dhe dhunën në familje të synojnë jo vetëm segmentet femërore të shoqërisë tonë, por këto çështje të trajtohen si një shqetësim për të gjithë shoqërinë. Sepse barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me gratë; ajo prek dhe burrat dhe është një qëllim i përbashkët për të gjithë shoqërinë." u shpreh kryeparlamentari

meta ipu

Në fund të fjalës së tij, Ilir Meta shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të intensifikuar luftën dhe masat ndaj dhunës ndaj grave si dhe dhunës në familje. Meta u bëri thirrje edhe kolegëve deputetë të shtojnë përpjekjet e përbashkëta për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë