Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me nxënës të shkollës së mesme profesionale në Tiranë, ‘Gjergj Cano’ ku u bëri thirrje të rinjve që të mos largohen nga Shqipëria, duke u premtuar se Partia e Lirisë do të ndërmarrë politika për zhvillimin e tyre.

“Nuk mund t’ zëvendësojmë të rinjtë tanë me të rinj nga Bangladeshi. Nuk mund të ketë Shqipëri europiane dhe të traditave tona kombëtare pa ju. Nuk mund t’i lini prindërit tuaj këtu dhe familjet që iu kanë mbështetur kaq shumë për t’ju formuar”- u shpreh Meta.

Për situatën ku ndodhet arsimi sot, sipas Metës faji është i qeverisë Rama pasi nuk janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për investime që do të mbajnë të rinjtë në Shqipëri. Ai bëri një krahasim mes pagave largimit të shqiptarëve në raport me banorët e shteteve të tjera të Ballkanit, duke theksuar se një prej faktorëve ndikues janë edhe rrogat e ulëta që punonjësit marrin në vendin tonë.

“Nuk është largimi i të rinje nga Shqipëria njësoj me vendet e tjera. Për 1 mijë banorë nga Serbia ikën 1, nga Shqipëria ikin 12. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, jemi shtet më i konsoliduar se Kosova, duhet të ishim ne shembull për ata dhe jo ata shembull për ne. Përse të ketë Kosova që ka gjysmën e buxhetit tonë, të ketë 100 euro në muaj për çdo student.  Përse mësuesit shqiptarë këtu duhet t’i kenë pagat 60% më të ulëta se kolegët e tyre në Kosovë?”- nënvizoi kryetari i PL-së.  

Mes të tjerash, kreu i Partisë së Lirisë tha se të gjithë paratë që grumbullohen nga veprimtari korruptive që sipas tij kryhen nga vetë qeveria, shkojnë për interesa të oligarkëve që fitojnë tenderat e veprave publike dhe nuk investohen në arsim apo zhvillimin e vendit.

“Keni parë ju sesi mashtrojnë, kazanët e mbeturinave i vendosin aty me ngjyra. Njerëzit i vendosin aty me ndarje me idenë se ashtu do shkojnë edhe atje ku do të digjen. Por të gjitha grumbullohen bashkkë. Ku shkojnë gjithë këta lekë për inceneratorët? Ka gjithë ato ministra në burg. Pagesat shkojnë për korrupsionin e Ramës, për ata që marrin tendera për veprat publike. Është korrupsioni ai që po vret të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve këtu. Në 10 vendet e para të botës, Shqipëria është e para që kërkon azil në Britaninë e Madhe”- u shpreh Meta.

Sa i takon bonusit prej 5 mijë lekësh që qeveria ka miratuar për pensionistët, Meta tha se është një tjetër përpjekje që Rama e bën për të blerë votat në afrimin e zgjedhjeve të 14 majit.