TIRANE - Kryetari i LSI, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI për Njësinë Bashkiake nr.2 në Tiranë, Elez Gjoza, teksa ka zhvilluar një takim në këtë njësi deklaroi se më 23 qershor qytetarët do votojnë LSI sepse duan të ecin më shpejt dhe kuptojnë plotësisht mesazhin e angazhimin e kësaj partie.

Për të LSI pas zgjedhjeve e 23 qershorit do ketë një peshë shumë më të madhe në qeverisjen dhe Parlamentin e ardhshëm. “Lidhur me çështjen e koalicioneve, është një çështje që do vendoset nga forumet e LSI e normalisht nga konventa e saj, por duhet të kemi parasysh se s’votohet për koalicionet, votohet për partitë.

Jemi shumë të qetë sepse jemi të angazhuar se të gjithë votuesit tanë të jenë të qartë për këtë gjë e në kohën e duhur do merret e vendimi i duhur. Një gjë është e padiskutueshme, LSI vendos shumë më tepër se sot në qeverisjen e Parlamentin e ardhshëm. Është një gjë e mirë për vendin, sepse LSI është një forcë politike me këmbë në tokë, s’është një forcë e prirur për aventura, për konflikt e është një forcë e angazhuar për të zgjidhur problemet kryesore që kanë qytetarët tanë”, tha kreu i LSI, Meta.

Duke analizuar funksionimin e strukturave ai nënvizoi se janë të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat historik. “Do ta arrijmë patjetër, në mënyrë që të jemi edhe më përcaktues për të ndihmuar të ardhmen e vendit e të çdo qytetari shqiptar që të jetë më e sigurt.

E ardhmja e tyre tronditet sa herë që politikanët për arsye të fushatave dalin nga realiteti dhe për hir të stresit që kanë për zgjedhjet dhe të rezultatit të tyre janë gati të bëjnë çdo lloj deklarata apo të nxisin çdo lloj fryme konfliktuale”, Meta. Sipas tij, është për të ardhur keq kur dëgjon dhe ndonjë deklaratë se nuk miratohet ky ligj për Gjykatën e Lartë apo se s’duhet të ndërtohet Gjykata Administrative sepse ajo mund të jetë një thertore tjetër për biznesin.

Meta nënvizoi se kjo është njësoj sikur të thuhet se s’duhet të ndërtohet një autostradë e re Tiranë-Rrogozhinë, që qytetarët të ecin më shpejt sepse do të ndodhin aksidente. “Është koha që të gjithë të marrin përgjegjësi, të kontribuojnë për një fushatë sa më pozitive”, tha Meta.

Duke folur mbi sondazhet e fundit kreu i LSI tha se partia e tij do ketë një rezultat spektakolar më 23 qershor e sondazhet sipas tij i paguajnë të tjerët sepse e dinë shumë mirë peshën reale të LSI. “Ju e shikoni që ne jemi shumë të qetë, të tjerët janë në halle. Të gjithë përpiqen të paguajnë sondazhe.

Të gjithë kanë hallin se si të nxjerrin sa më poshtë LSI, sepse e dinë që LSI është e vetmja forcë reale, përveç dy të tjerave, që do të imponojë Parlamentin e ardhshëm dhe që qeverisjen e ardhshme. Do të arrijmë rezultat spektakolar siç arritëm më 8 maj në Tiranë që kanë qenë zgjedhjet ndoshta nga më të ashprat politike, se nuk ishin zgjedhje lokale ato, ku LSI arriti në qytetin e Tiranës nga 13 mijë vota në 23 mijë vota”, tha kreu i LSI Meta.

Ai deklaroi se ka një prurje të vazhdueshme drejt LSI aq sa s’po i përgjigjen dot me prodhimin e kartave. “Qytetarët shqiptarë janë velur nga kjo politikë konfliktuale, kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi” tha Meta. Ai bëri thirrje që ethet elektorale të mos i bëjnë politikanët të bëjnë premtime skandaloze që cenojnë edhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)