“Vazhdimi i koalicionit PS-LSI kjo nuk ka diskutim. Folëm për inaugurimin e stadiumit “Loro Boriçi” dhe si të fitojmë ndeshjen ndaj Marokut”,- ka thënë Meta për gazetarët.
Takimi i djeshëm vjen menjëherë pas mbylljes së pushimeve verore, ndërkohë që po dje është mbajtur edhe mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave dhe menjëherë pas miratimit në Kuvend me 88 vota të Vetingut, proces që i hap dritën jeshile zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Ndërkohë, ky takim vjen edhe pas deklaratës së bërë dy ditë më parë në bashkëbisedimin që pati në rrjetet sociale me qytetarët, ku tha se do të ulej shumë shpejt me kreun e Kuvendit, njëherësh kreun e LSI për të diskutuar për planin 4 –vjeçar për mandatin e ardhshëm.
“Një temë tjetër është ajo e koalicionit, se çfarë po bëhet me koalicionin, me LSI-në, pa LSI-në. Unë e di shumë mirë që koalicioni ka shumë mbështetës, koalicioni ka dhe shumë skeptikë, koalicioni ka edhe jo pak kundërshtarë. Koalicioni gjithmonë duhet parë në dy nivele; në nivelin e përditshmërisë dhe funksionimit të tij në të gjithë territorin, ku patjetër që ka plot e plot probleme - këtu flas jo në marrëdhënien ndërpartiake, por në marrëdhënien e administratës dhe e përfaqësuesve të koalicionit me qytetarin - dhe në nivelin e qëllimit dhe objektivit afatgjatë për të reformuar Shqipërinë. Nëse në aspektin e parë ka shumë gjera për të korrigjuar, ka jo pak gjëra për të kërkuar ndjesë për mënyrën sesi ndërtohen marrëdhëniet me qytetarët në një zonë apo në një zonë tjetër, në nivelin tjetër, pra, në nivelin strategjik, koalicioni i ka bërë dhe po vazhdon t’i bëjë një shërbim të madh këtij vendi, sepse koalicioni është garancia për reforma të mosbëra ose të zvarritura për 20 e kusur vite, për reformat që po modernizojnë Shqipërinë dhe po hedhin bazat për të pasur më në fund, shtet”,-tha Rama.
Duke paralajmëruar vijimin e koalicionit, Rama tha se së bashku ky koalicion do të përgatitë programin për mandatin tjetër qeverisës.
“Nga ana tjetër, njerëzit e kërkojnë dhe e meritojnë një përgjigje dhe së shpejti, ne do të ulemi në tryezën e koalicionit dhe do të diskutojmë projektin e 4-vjeçarit të ardhshëm, në mënyrë të hapur, krejtësisht konstruktive e në mirëkuptim të plotë dhe do të vendosim sesi do të paraqitemi përpara shqiptarëve për mandatin tjetër. Sot, koalicioni ka edhe një komponent të ri, PDIU-në. Ashtu sikundër, përtej të gjithave, koalicioni ka një mbështetje të gjerë në territor. Është një diskutim i nevojshëm, duhet bërë serioz, por të gjithëve u them se ky koalicion, në gjykimin e të përditshmes mund të ketë shumë gjëra për të rrudhur buzët, por në gjykimin strategjik meriton njohjen e meritës së madhe se është baza e sigurt e reformave që po transformojnë një herë e mirë Shqipërinë. E reformave që po të ishin bërë 25 apo edhe gjatë 20 e kusur viteve më parë, sot do ishin krijuar kushtet të kishim një Shqipëri krejt tjetër”,-u shpreh Rama ndër të tjera.
Meta
“Vazhdimi i koalicionit PS-LSI kjo nuk ka diskutim. Folëm për inaugurimin e stadiumit “Loro Boriçi” dhe si të fitojmë ndeshjen ndaj Marokut”.
Rama
“Ne do të ulemi në tryezën e koalicionit dhe do të diskutojmë projektin e 4-vjeçarit të ardhshëm, dhe do të vendosim sesi do të paraqitemi përpara shqiptarëve për mandatin tjetër”.