Kreu i Presidencës së Bosnje- Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç do të zhvillojë një vizitë 2-ditore në Shqipëri. Ai do të vijë me ftesë të presidentit Ilir Meta.

Sipsa njoftimit të Presidencës me Metën do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe, ekonominë dhe tregtinë dhe bashkëpunimin rajonal.

Lajmërohet gjithashtu se Xhaferoviç bashkë me Metën do të vizitojnë fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut ku jeton një pjesë e komunitetit të vogël boshnjak në Shqipëri.

"Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, nesër fillon vizitën e Tij zyrtare 2 ditore në Shqipëri, Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Sh.T.Z. Shefik Xhaferoviç.

Kryetari Xhaferoviç do të pritet dhe zhvillojë bisedime me Presidentin Meta me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe bashkëpunimin rajonal.

Ceremonia e mirëseardhjes së Tij në Presidencë do të zhvillohet nesër në ora 09:00, ndërsa në ora 10:15 do të ketë edhe një konferencë të përbashkët shtypi.

Gjatë qëndrimit të Tij në vendin tonë, Kryetari Xhaferoviç, së bashku me Presidentin Meta, do të vizitojë edhe fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut, ku jeton një pjesë e komunitetit boshnjak në Shqipëri", njofton Presidenca.