TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir meta zhvilloi këtë pasdite një takim me gratë në zonën e Freskut. Në këtë takim, Meta prezantoi me gratë edhe kandidaten e Partisë së Lirisë, për këshilltare të Bashkisë së Tiranës Silva Caka.
Meta u ndal edhe tek prioritetet e Partisë së Lirisë për të mbështetur familjen shqiptare. Meta premtoi më shumë mbështetje për nënat e reja, ku ndër prioritetet kryesore e Partisë së Lirisë është që gruas duhet t’i paguhet për 1 vit leja e lindjes e plotë. Për të nxitur lindshmërinë, Meta u shpreh se është e rëndësishme që të trefishohet bonusi për bebet.
“Sa më shumë investime për kopshte, shkolla të reja publike, sidomos në zona të tilla ku popullsia është rritur shumë herë në këto vite te fundit, aq më shumë lehtësira krijojmë për çdo nënë e familje. E domosdoshme që për një vit ti paguhet leja e plotë nënës së re. Të trefishohet bonusi për bebet, aq më tepër që ka rënë edhe lindshmëria. Gjithnjë e më pak guxojnë të bëjnë më shimë se dy apo një fëmijë. Është shumë e rëndësishme të ulim taksat dhe do t’i ulim taksat për pagat dhe të ardhurat për të gjitha nënat që kanë dy fëmijë dhe më shumë”, tha Meta.
Meta ka deklaruar se në 14 maj, ditën e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, do të rikthehet llogaridhënia në vend.