TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë televizive foli për çështje aktuale në fushën e politikës shqiptare. Ai tha se në postin e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jetë një person me integritet dhe si shembull konkret të përcaktimit të kësaj fjale, përmendi ish-presidentin e republikës Rexhep Meidani. Meta trajtoi edhe problematikën me Kompaninë çeke të energjisë Cez-Shpërndarje duke theksuar se duhet të ishte trajtuar me kohë. Lidhur me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, Meta tha se me 28 Nëntor do të jetë në Vlorë.

PROKURORI I PERGJITHSHEM / "TE JETE PERSON ME INTEGRITET SI MEJDANI"

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta duke iu referuar çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm tha se i gjithë debati është krijuar për shkak të keqpërdorimit nga politika të vetë institucionit. Sipas kreut të LSI-së, duhet të formohet një përqasje e re në kuadër të forcimit të institucioneve, pasi siç u shpreh ai, “janë të shtetit dhe jo të mazhorancës”.

Në një intervistë në emisionin “Tonight Ilva Tare”, Meta iu shmang pyetjes së gazetares për një emër konkret për Prokurorin e Përgjithshëm. Kreu i LSI-së theksoi se është një raport i cili funksionon mes Presidentin dhe Parlamentit. “Iniciativën e merr presidenti nuk duhet ta marrë politika.”, vijoi Meta.

Duke iu referuar bashkëpunimit me palët politike që presidenti Bujar Nishani bëri për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme Parlamentare më 2013-ën, Meta tha se “Presidenti nuk do bënte keq të konsultohej edhe për institucione të tjera.”

Megjithatë ai tha se në krye të këtij posti duhet të jetë një person me integritet, dhe si shembull konkret të përcaktimit të kësaj fjale, përmendi ish-presidentin e republikës Rexhep Meidani, i cili sipas tij, “ka qenë dhe mbetet një president me shumë integritet dhe një figurë tepër serioze, i cili nuk ka ndërhyrë në punët e drejtësisë dhe është përpjekur për t’i dhënë pavarësi atyre ashtu siç është përpjekur për të shmangur abuzimet.”

Për kreun e LSI-së për të shkuar tek një emër konkret më parë duhet të përmbushen disa kritere. "Person me integritet: të jetë një person që jep garanci për forcimin e institucionit. Kjo duhet të jetë kërkesa kryesore. Nëse kemi një person që votohet nga të gjithë kjo do të ishte një mrekulli.", theksoi kreu iLSI-së. Nga ana tjetër, ai tha se nuk ka folur në asnjë çast me kryeministrin Berisha për këtë çështje.

"PROBLEMATIKA E CEZ U ZHVILLUA PASI NUK U TRAJTUA NE KOHE"
Duke folur për një tjetër çështje aktuale, siç është ajo e kompanisë energjetike Cez-Shpërndarje dhe marrjen në konsideratë nga ana e saj për largimin nga Shqipëria prej problemeve të krijuara së fundmi, Meta tha se problematika me këtë kompani është zhvilluar edhe më shumë prej faktit që nuk u trajtua në kohë. “Sipas mendimit tim kjo situatë duhet të ishte zgjidhur më parë. Të ishin pastruar llogaritë mes kësaj kompanie dhe qeverisë. Nëse unë do isha ministër i Ekonomisë do e kisha zgjidhur me kohë.”, - theksoi kreu i LSI-së.

Duke u treguar i rezervuar në komente të cilat fajësojnë drejtpërdrejtë qeverinë për çështjen me kompaninë çeke Cez-Shpërndarje, Meta tha se “qeveria duhet të mbështetet, këto janë gjëra që ndodhin”, por ai vijoi duke theksuar se “kur ndodhin duhet të zgjidhen në kohë.”

Sipas kreut të LSI-së, “Cez ka pasur mungesë totale të seriozitet ndaj shqetësimeve të qytetarëve, por edhe të shqetësimeve që ka ngritur qeveria. Ata nuk kanë bërë asnjë investim serioz, për të mos thënë që janë tallur e tani thonë që Shqipëria nuk ka treg ekonomik. Problematikën me Cez e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe kjo kompani ka marrë masa ndëshkimore.”

KOALICIONI /  "ESHTE SHPEJT PER PERGJIGJE, TANI JEMI MIRE ME PD-NE"
I pyetur se me cilën parti do të jetë koalicioni në zgjedhjet e 2013-ës, Meta u shmang duke thënë se është shumë shpejt për të dhënë një përgjigje konkrete. Sipas tij, koha e duhur për të marrë përgjigje është në prag të zgjedhjeve të ardhshme. “Përgjigjen do ta japin 2 200 delegatët të cilët ka mundësi ta japin me votim të fshehtë elektronik.”, tha Meta. Megjithatë, ai theksoi se aktualisht është në një koalicion qeverisës, “i cili është funksional dhe natyrisht do të funksionojë edhe më mirë.”

100-VJETORI / “ME 28 NENTOR DO TE FESTOJ NE VLORE”
“28 Nëntori më gjen në Vlorë”. Kështu u përgjigj kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në lidhje me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Meta tha se më 28 Nëntor do të jetë në Vlorë, pasi “çdo njeri e di që paraditen e kësaj datë në Vlorë ngrihet flamuri”. Megjithatë duke mos deklaruar hapur se anën e cilës parti politike mbante referuar datës së festimeve, Meta theksoi se nëse me 28 do kryhen festime edhe në Tiranë do mundohej që t’i bashkohej në mbrëmje, pasi të festonte në qytetin bregdetar të Vlorës.

Debati i fundit i krijuar mes partive politike është pikërisht për datën dhe vendin se ku do të bëhen festimet referuar 100-vjetorit. Kryeministri Berisha ka deklaruar se epiqendra e festimeve më 28 Nëntor do të jetë Tirana, dhe duke mos shmangur Vlorën, ka thënë se atje do të festohet më 27 nëntor. Ndryshe ka deklaruar kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, ku sipas tij qyteti do kryej festimet më 28, mendim të cilin e ka ndarë dhe kryesocialisti Rama.

Redaksia Online


(Gre.M/Shqiptarja.com)