FIER - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga qyteti i Fierit ku zhvilloi një takim me Lëvizjen e Gruas, i bëri thirrje politikës shqiptare që të ndjekë shembullin e djeshëm në Parlament, edhe për votimin e 3 ligjeve. Meta iu referua votimit në unanimitet për ndryshimin e emrit të komunës Liqenas me komunitet maqedonas në qarkun e Korçës, në emrin e ri Pustec.

“Dje në Parlament ka ndodhur një akt tepër pozitiv që nuk ka rënë në syrin tuaj. Në një kohë që dëshira për të udhëhequr sa më nacionaliste, dje parlamenti ynë bëri një akt tepër pozitiv dhe europianizues duke respektuar kërkesën e një komuniteti si ai i komunitetit maqedonas që vendon në vendin tonë dhe duke i vendosur komunës atë emër që kishte pasur dhe që i ishte ndërruar nga sistemi…me asnjë votë kundër, ky është një akt tolerance, mirëkuptimi dhe respekti ndaj një pakice. Ky ishte një akt integrimi tepër pozitiv. Dikush e quajti akt shkombëtarizimi, kjo s’është e vërtetë. Kjo përgjegjshmëri duhet treguar edhe për miratimin e 3 ligjeve, sepse përndryshe vendi mund të humbë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.

META: DO RRISIM PUNESIMIN? ME KETO DEKLARATA SHQIPERISE I IKIN INVESTITORE

Në një tjetër argument, Meta kritikoi deklaratat e ardhura nga politikanët për shtimin e punësimit dhe luftimin e varfërisë. Sipas tij, deklarata të tilla veçse largojnë investitorët nga Shqipëria dhe i çojnë ata drejt vendeve të tjera.

“Do të shtojmë punësimin dhe do të luftojmë varfërinë. Të bësh deklarata të tilla do të thotë të çosh vendin në kolaps, ti detyrosh investitorët e huaj të largohen nga vendi drejt Maqedonisë, drejt Serbisë apo drejt Malit të Zi apo qoftë edhe drejt Kosovës”, deklaroi Meta.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se LSI është një forcë politike e cila mbështet realisht punësimin.

“Politika duhet të jetë e përgjegjshme, të jetë me këmbë në tokë. Është e lehtë të jesh në opozitë, populist…Ndaj LSI, duke qenë një forcë realiste dhe duke ofruar vizion të qartë për zhvillim ekonomik dhe social të vendit, njëkohësisht është edhe garantuese jo vetëm e politikave mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit, por edhe garanci që këto politika të jenë efikase në një punësim më të gjerë të punësimit të grave. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë fuqizimin real të grave e vajzave shqiptare, dhe kjo do të sjellë dhe europianizimin e vendit tonë”, përfundoi Meta.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)